Kosovë, mungesë rezultatesh në mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje

Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë tërhoqi vëmendjen të mërkurën për mungesën e rezultateve në punën e institucioneve që merren me trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Në një raport të publikuar në Prishtinë zyra tha se ka ngecje në procesin e mbrojtjes dhe rehabilitimit të viktimave.

Ariana Gjonbalaj Shala nga Zyra e Auditimit tha se një numër i madh i lëndëve që presin për t’u trajtuar nga gjykatat, barten nga viti në vit.

Ariana Gjonbalaj

Të dhënat statistikore tregojnë se procesi i trajtimit në procedurë penale te rastet e dhunës në familje merr kohë më shumë se një vit. Rreth 37 për qind e lëndëve penale të shqyrtuara gjatë vitit 2020 deri në vitin 2022 janë raste të bartura nga vitet e mëhershme, disa prej tyre edhe nga viti 2016”, tha ajo.

Raporti thekson edhe mungesën e mbështetjes së viktimave të vendosura në strehimore, mungesën e udhëzimeve nga mbrojtësit e viktimave si dhe të shërbimeve të rehabilitimit.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, mungesë rezultatesh në mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje

Dhuna në familje ka shënuar rritje të vazhdueshme viteve të fundit në Kosovë. Në vitin 2019, policia e Kosovës ka regjistruar 1 mijë e 915 raste, nga 1 mijë e 533 që ishin në vitin 2018. Ndërkaq viti 2022 shënoi shkallën më të lartë të dhunës në familje deri tani, me 2 mijë e 764 raste të raportuara.

Sipas një studimi të organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International, që u publikua në fund të muajit të kaluar, një ndër faktorët thelbësor që i vë gratë në situatë të vështirë është varësia e tyre ekonomike nga familja e origjinës apo bashkëshortët e tyre.

Lexoni edhe këtë Amnesty International: Mungon trajtimi i duhur për viktimat e dhunës në familje në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njëherësh bashkërenduese kombëtare kundër dhunës në familje, tha sot se bashkë me ministrinë e Financave janë duke përgatitur një program për punësimin e grave që kanë pësuar dhunë.

Albulena Haxhiu

Gjithashtu jemi duke planifikuar që pasuritë e konfiskuara gjegjësisht ato të paluajtshme, banesa të konfiskuara t’u jepen në shfrytëzim viktimave të dhunës të cilat nuk kanë se nga t’ia mbajnë, duke pasur parasysh që pronat janë të regjistruara kryesisht në emër të prindërve, bashkëshortëve”, tha ajo.

Raporti i publikuar sot, me mbështetjen e zyrës së UN Women në Kosovë, shënon edhe herën e parë të auditimit të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje në Kosovë. Njohës të fushës e vlerësuan lart një hap të tillë meqë rekomandimet nga ky raport shndërrohen në detyrim ligjor për të gjitha institucionet përkatëse, për dallim nga rekomandimet që vijnë prej organizatave të shoqërisë civile të cilat sipas tyre kryesisht nuk zbatohen nga institucionet.

Vlora Tuzi Nushi

Dua të flas pak për seriozitetin e këtij raporti. Është raport që jep obligime për institucionet, jo sepse është bërë pak, por për të përmirësuar shërbimet në mënyrë që të shpëtojmë jetë. Dhuna është në rritje jo vetëm në Kosovë por edhe në botë. Një në pesë gra në botë nga raporti i fundit që ka bërë UNODC me UN Women, vritet nga partneri në familje”, tha Vlora Tuzi Nushi, shefe e zyrës së UN Women në Kosovë.

Ndonëse dhuna në familje ka shënuar rritje, raportimi i saj në Kosovë vazhdon të mbetet sfidues meqë një pjesë e madhe e shoqërisë vazhdon ta shohë atë si problem që duhet të trajtohet brenda familjes.