Prokurorët: Dëshmitari tërheq deklaratën e rreme në çështjen ndaj zotit Trump për dokumentet sekrete

Një dëshmitar në çështjen penale kundër zotit Donald Trump lidhur me dokumentet sekrete, ka tërhequr “dëshminë e mëparshme të rreme” pasi ndërroi avokatët muajin e kaluar dhe ka ofruar të dhëna të reja që tregojnë përfshirjen e zotit Trump, njoftoi të martën Departamenti i Drejtësisë.

Deklaratat nga dëshmitari, një punonjës i zotit Trump i identifikuar në dokumentet e gjykatës si drejtor i teknologjisë së informacionit në Mar-a-Lago, iu paraqitën prokurorëve disa javë përpara se prokurori i posaçëm Jack Smith të siguronte një aktakuzë të përditësuar që e akuzonte zotin Trump dhe dy të tjerë lidhur me një komplot për të fshirë filmimet e kamerave të vëzhgimit në rezidencën e Floridës.

Sipas prokurorëve, dëshmitari i tha një jurie të madhe në Uashington në muajin mars se nuk i kujtohej asnjë bisedë në lidhje me filmimet e kamerave të sigurisë.

Por në muajin korrik, pasi u paralajmërua nga prokurorët se ishte objektiv i një hetimi dhe pasi u këshillua se avokati i tij mund të kishte një konflikt interesi për shkak se përfaqësonte individë të tjerë në hetim, dëshmitari mori një avokat të ri të ofruar nga shteti dhe i ofroi Departamentit të Drejtësisë informacione që ndihmuan në formimin e bazës së akuzës së rishikuar kundër zotit Trump, ndihmësit të tij të afërt Walt Nauta dhe një individi të tretë, Carlos De Oliveira, thuhet në dosjen gjyqësore.

Prokurorët thanë se i bënë me dije dëshmitarit, që njihet si punonjësi 4 i Trumpit, se avokati mbrojtës Stanley Woodard përfaqësonte edhe zotin Nauta. Zoti Woodward nuk pranoi të komentonte për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Gjykimi i çështjes së dokumentave sekrete është caktuar më 20 maj të vitit 2024. Zoti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka mohuar çdo keqbërje.

Sipas aktpadisë së hartuar nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith dhe hetuesit e tij, zoti Nauta akuzohet se ka bashkëpunuar me ish-presidentin për të fshehur dokumente që ky i fundit i kishte marrë nga Shtëpia e Bardhë, pas largimit nga detyra.

Zhvendosja e kutive është regjistruar nga kamerat e sigurisë, pamje që Departamenti i Drejtësisë i ka siguruar tashmë.