Lidhje

Gjykatësja, kufizime ndaj ish Presidentit Trump për publikim të dokumenteve sekrete


Gjykatësja federale e çështjes ndaj ish-presidentit Donald Trump lidhur me zgjedhjet e vitit 2020, e paralajmëroi të premten ish-Presidentin dhe ekipin e tij të mbrojtjes, se do të ketë kufizime mbi atë që ai mund të thotë publikisht rreth hetimeve kundër tij, ndërkohë që bën fushatë për zgjedhjet presidenciale.

Ishte seanca e parë që mbante gjykatësja e kësaj çështjeje Tanya Chutkan në Uashington dhe synimi I saj ishte të merrte një vendim pas kërkesës së prokurorëve që t’i vendoseshin kufizime Presidentit Trump dhe ekipit të tij mbrojtës, lidhur me atë që mund të thonë publikisht lidhur me informacionet e akuzës, tek të cilat ata kanë qasje për të përgatitur mbrojtjen. Prokurorët argumentuan se çfarë formë duhet të kishte masa kufizuese, që do të parandalonte publikimin e të gjitha dëshmive që dorëzohen nga prokurorët e rastit.

Zonja Chutkan, gjykatëse në rastin e akuzave të ngritura ndaj zotit Trump për komplot për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 theksoi se konsiderata politike nuk do të ndikojnë në vendimet e saj.

“Mbrojtja e klientit tuaj duhet të bëhet në këtë gjykatë, jo në internet,” u tha ajo avokatëve të zotit Trump.

Gjykatësja tha se sa më shumë deklarata “nxitëse” të bëhen për çështjen, aq më e madhe do të jetë nevoja për ta filluar procesin gjyqësor, për të parandaluar ndikimin tek anëtarët e mundshëm të jurisë. Ajo theksoi se “deklaratat që mund të duken me kuptim të dyfishtë ” do të mund të interpretohen si shantazh apo ngacmim ndaj dëshmitarëve të mundshëm.

“Do të marr masa për të ruajtur integritetin e çështjes” , tha ajo.

Një prokuror tha se Departamenti i Drejtësisë është i gatshëm t’ua dorëzojë avokatëve të zotit Trump rreth 11 milionë faqe prova.

Zonja Chutkan u pajtua me avokatët e ish-Presidentit Donald Trump për një masë më pak kufizuese për publikimin e dëshmive në rastin kundër tij, por përgjithësisht i dha të drejtë prokurorit se materialet sekrete duhet të mbrohen.

Ajo dukej më e gatshme të vendosë një masë më kufizuese, që do të ndalonte vetëm publikimin e materialeve, që konsiderohen “sekrete”, siç janë materialet e jurisë së madhe.

Zonja Chutkan, megjithatë, bllokoi kërkesa të tjera të palës mbrojtëse, që kërkonte të zgjeronte spektrin e atyre që mund t’i shohin këto dokumente dhe se cilat duhet të konsiderohen dokumente sekrete.

Qeveria e konsideron pjesën më të madhe të dëshmive në këtë rast si sekrete.

Thomas Windom, zëvendës i prokurorit të posaçëm të çështjes, tha se zoti Trump duhet të mbikëqyret gjatë kohës kur shqyrton materialet e çështjes. Ai iu referua padisë, me të cilën zoti Trump po përballet në Florida, për dokumentet sekrete që u zbuluan në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago.

“Ai ka treguar prirje të mbajë dokumente, që nuk duhej t’i kishte,” tha zoti Windom.

Kërkesa e prokurorëve për masë kufizuese, ishte përballja e parë mes mbrojtjes dhe akuzës. Prokurorët kishin kërkuar masa kufizuese për ato që mund të thoshte ish-presidenti, pas një postimi të tij në rrjetet sociale ku shkroi se “do t’ju vihet pas” atyre “që i vihen atij pas”.

Ata paralajmëruan se zoti Trump mund të publikonte informacione sekrete, që mund të kishin “ndikim të dëmshëm ndaj dëshmitarëve.”

Avokatët e zotit Trump thanë se masa kufizuese, e propozuar nga prokurori, do të kufizonte të drejtën e lirisë së të shprehurit. Ata kërkuan një masë më të kufizuar që do të ndalonte publikimin e materialeve “sekrete,” siç janë dokumentet e jurisë së madhe dhe argumentuan se nevoja për të mbrojtur dokumentet “sekrete” nuk “meriton një ndalim të plotë për të gjitha dokumentet e akuzës.”

Zoti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm ndaj akuzave.


Prokurorët kërkojnë që gjyqi kundër ish-presidentit Trump për zgjedhjet të fillojë në janar


Prokurorët e Departamentit amerikan të Drejtësisë kërkuan të enjten që më 2 janar të fillojë gjyqi kundër ish-presidentit Donald Trump mbi akuzat për komplot të paligjshëm për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat ai i humbi ndaj demokratit Joe Biden.

Në një dokument dërguar gjykatëses Chutkan në Uashington, zyra e prokurorit të posaçëm Jack Smith, që ka ngritur aktpadinë, thotë se paraqitja e provave kundër zotit Trump nuk do të zgjaste "më shumë se katër deri në gjashtë javë" dhe se juria e madhe do të zgjidhej në dhjetor.

Ky afat kohor do të mund ta detyronte zotin Trump që të kalonte ditët në gjykatë në fillim të vitit 2024, në një kohë që përkon me zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane për emërimin e kandidatit presidencial, që fillojnë më 15 janar në shtetin e Ajovës.

Sondazhet tregojnë se zoti Trump kryeson garën e republikanëve me një epërsi të thellë. Nëse i fiton zgjedhjet paraprake të republikanëve, ai mund të përballet sërish me presidentin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në nëntor të vitit 2024.

Avokatët e zotit Trump pothuajse me siguri do të kërkojnë që data e fillimit të gjyqit të shtyhet përtej janarit, megjithëse nuk janë të detyruar që ta njoftojnë gjykatësen Chutkan për datën e tyre të preferuar deri javën e ardhshme.

Ish-presidenti Trump ka bërë thirrje që gjykatësja Chutkan të tërhiqet nga rastet kundër tij dhe ka kërkuar që gjyqi të zhvendoset jashtë Uashingtonit, ku zoti Trump fitoi vetëm 5% të votave në garën kundër rivalit demokrat Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe juria do të përbëhet nga votues të regjistruar. Por avokatët e tij nuk kanë kërkuar një gjykatës të ri apo ndryshim vendi, të cilat, gjithsesi, nuk lejohen shpesh në gjyqet penale në Shtetet e Bashkuara.

Prokurorët thanë në dokumentet e dorëzuara në gjykatë se caktimi i “datës së fillimit të gjyqit më 2 janar do të justifikonte interesin e fortë të publikut për një proces të shpejtë gjyqësor, një interes i garantuar nga Kushtetuta dhe ligji federal për të gjitha rastet, por me rëndësi të veçantë në këtë rast, ku i pandehuri, një ish- president, akuzohet për komplot për të përmbysur rezultatet legjitime të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe për përpjekje për të penguar çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.”

Gjykatësja Chutkan ka sinjalizuar se ajo planifikon të caktojë një datë të fillimit të gjyqit në një seancë dëgjimore më 28 gusht.

XS
SM
MD
LG