“Muri i nderit”, pllaka përkujtimore e familjeve që shpëtuan hebrenj në Kosovë

Muri i nderit

Në parkun e qytetit të Prishtinës të mërkurën u përurua “Muri i nderit”, një pllakë përkujtimore që nderon familjet e Kosovës të cilat ndihmuan në shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së Holokaustit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë ceremonisë se domethënia e këtij muri shkon përtej emrave të individëve duke shërbyer edhe si monument i vlerave të përbashkëta dhe miqësisë ndërmjet popullit të Kosovës dhe hebrenjve gjithandej në botë.

Your browser doesn’t support HTML5

“Muri i nderit”, pllaka përkujtimore e familjeve që shpëtuan hebrenj në Kosovë

“Hebrenjtë që ikën nga Evropa në gjysmën e parë të shekullit njëzet dhe shqiptarët e Kosovës përgjatë gjithë këtij shekulli e kuptonin se çfarë do të thotë të privohesh nga shtëpia në kuptimin e plotë të fjalës. Për të dy popujt ishte themelimi i shteteve, Izraelit dhe Kosovës që më në fund u ofroi atë ndjesi të fuqishme të shtëpisë që u ishte mohuar më parë”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë familje të Kosovës strehuan hebrenj për t’i shpëtuar ata nga përndjekja e forcave naziste. Njëra nga to është edhe familja Rezniqi, pasardhësi i së cilës, Lekë Rezniqi, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, tha se ndjehet krenar për nderimin që u bëhet familjeve shqiptare.

“Një monument i sakrificës unike që bënë shqiptarët e Kosovës për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Si pasardhës i njërës nga familjet shpëtuese sot ndihem krenar që më në fund heronjtë e heshtur që qëndruan para ligësive po nderohen siç e meritojnë në vendin e tyre”, tha zoti Rezniqi.

Stërgjyshi i tij, Arsllan Rezniqi kishte strehuar dhe shpëtuar ndër të tjerë edhe gjyshin e profesoreshës Rachel “Shelly” Levy-Drummer.

“Duhet të jeni shumë të përfshirë në gjithçka që bëni në jetë, jini të ndjeshëm ndaj botës dhe njerëzve përreth jush, jini të ndjeshëm dhe ndërmerrni veprime, sepse indiferenca është e kundërta e dashurisë”, tha sot zonja Levy-Drummer.

Muri i nderit që u përurua sot është nismë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqatës së Miqësisë Kosovë – Izrael.

Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro Amerikan tha se pllaka përkujtimore është bërë me synim rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit rreth rolit siç tha unik që ka luajtur Kosova në nga një periudhat më të errëta të historisë.

“Shumë vite përpara se të tjerë që kishin pozicione të fuqishme dhe ndikim patën gatishmërinë të pranonin të vërtetën që po ndodhte e që në shumë raste vazhduan ta mohojnë atë, shqiptarët luajnë një rol unik përgjatë Holokaustit”, tha ajo.

Avner Shalev, kryetar i sapo pensionuar i Drejtorisë Yad Vashem, tha se Holokausti ishte një periudhë ku përtej dhimbjes, mizorive e vuajtjes mbizotëruan vlerat njerëzore.

“Në çdo shtet evropian pas luftës hebrenjtë ose ishin asgjësuar tërësisht ose ishte zvogëluar dukshëm numri i tyre, i vetmi vend ku numri i hebrenjve ishte më i madh pas luftës sesa para saj ishte territori ku jetonin shqiptarët dhe kjo flet për rëndësinë e vlerave që shqiptarët kishin”, tha zoti Shalev.

Pjesëmarrësit thanë se përderisa roli i shqiptarëve të Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve është i mirënjohur, roli i shqiptarëve të Kosovës në këtë periudhë kishte mbetur në heshtje për shumë vite.

Familja Rezniqi në vitin 2005 themeloi Shoqatën e Miqësisë Kosovë-Izrael ndërkaq Arsllan Rezniqi, ishte shqiptari i parë i Kosovës që mori pas vdekjes çmimin Righteous Among the Nations/ Të drejtët midis kombeve nga Yad Vashem për shpëtimin dhe mbrojtjen e hebrenjve në Deçan të Kosovës në vitin 1941 dhe në fund transferimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore në një vend të sigurt në Shqipëri.