Instituti Demokratik i Kosovës tha të premten se rruga e duhur për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të banuara me shumicë serbe është dorëheqja e kryetarëve aktualë.
Kryetarët Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, që fituan në zgjedhjet e 23 prillit që u bojkotuan nga përfaqësuesit politik të serbëve, u shoqëruan me forca të policisë në muajin maj për në zyrat e tyre mes kundërshtimesh të ashpra nga grupe protestuesish serbë.
Tensionet në veri të Kosovës shtuan përpjekjet e diplomacisë perëndimore për të siguruar një proces të ri zgjedhor dhe pjesëmarrjen e pakusht të serbëve në to, si rrugë për shtensionimin e plotë të situatës.
Qeveria e Kosovës është pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja por cështja kë mbetur tek rruga që duhet ndjekur për organizimin e tyre. Janë dy rrugë për këtë çështje: përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë dhe shkarkimit të tyre përmes një peticioni të votuesve që sipas autoriteteve në Kosovë do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.
Lexoni edhe këtë Kosovë, sigurimi i bazës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veriPas një pajtimi të arritur me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.
Por, Instituti Demokratik i Kosovës tha sot nëpërmjet një njoftimi për media se legjislacioni ekzistues në Kosovë nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e procedurës për shkarkimin e kryetarëve, meqë “nuk janë të përcaktuara afatet procedurale, mënyra e verifikimit të vlefshmërisë së kërkesës për largim, e as modalitetet për zhvillimin e votimit”.
“As nisma për hartimin e një udhëzimi administrativ nuk është e mjaftueshme, meqenëse nevojitet edhe hartimi i akteve nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor – si bartës i procesit të votimit”, thuhet në njoftim.
Instituti Demokratik i Kosovës tha se për t’i hapur rrugë shtensionimit të plotë, kryetarët aktualë të komunave duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga postet e tyre.
“Dorëheqjet po ashtu mundësojnë një proces të ri zgjedhor në afate më të afërta kohore, pa vonesa procedurale dhe kosto të dyfishtë”, thuhet në njoftim ku ndër të tjera i bëhet thirrje komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhje për të shmangur mundësinë e një procesi të ri zgjedhor me rezultat të njëjtë.
Krahas përpjekjeve për t’u hapur rrugë zgjedhjeve, qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në dhe rreth ndërtesave të komunave në veri, një kërkesë kjo e Bashkimit Evropian i cili tha se hapat e qeverisë janë endë të pamjaftueshëm për uljen e tensioneve.