Gjykata Komerciale e Kosovës vendosi të enjten për shtyrjen e zbatimit të vendimit të qeverisë për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, duke shmangur mbylljen e tij deri në një vendim përfundimtar të gjykatës për këtë çështje.
Your browser doesn’t support HTML5
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 28 korrik konfirmoi vendimin e saj të 14 qershorit për pezullimin e certifikatës se biznesit të Klan Kosovës për shkak të mënyrës siç është thënë kundër kushtetuese të regjistrimit të këtij televizioni. Sipas ministrisë në dokumentet e regjistrimit të biznesit shkruan “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Por, Gjykata Komerciale vërtetoi sot pohimet e Klan Kosovës për ndryshimet e bëra me 21 qershor.
“Informatat mbi adresën dhe shtetësinë e pronarit të kompanisë me seli në Shkup janë ndryshuar menjëherë dhe të njëjtat janë dorëzuar me datë 21 qershor” thuhet në vendim.
Lexoni edhe këtë Çështja Klan Kosova, paqartësi dokumenteshNë vendimin e Gjykatës Komerciale thuhet më tej se zbatimi i vendimit të ministrisë Klan Kosovës “do t’i shkaktonte dëm vështirë të riparueshëm, do t’i humbte licencën e operimit, rreth 220 punonjës do të ngeleshin pa punë dhe do të dështonte në përmbushjen e obligimeve kontraktuale” dhe do të dëmtonte edhe imazhin dhe besueshmërinë e televizionit.
“Qasja në informacionin e siguruar nga mediat është interes publik” thuhet në arsyetimin e gjykatës duke nënvizuar se kjo lidhet ngushtë me lirinë e shtypit e cila është një e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Nga sot rrjedhë afati prej pesëmbëdhjetë ditësh brenda të cilit ministria e Industrisë ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjykatës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpriti vendimin e Gjykatës Komerciale duke theksuar se do të vëzhgojë nga afër procedurat e tjera në vazhdim, siç thuhet “me shpresën që epilogu i shpejtë do të përmbyllë këtë episod të përpjekjes së qeverisë për të minuar lirinë e medies në Kosovë”.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, mirëpriti vendimin e Gjykatës duke theksuar se “ky vendim i përkohshëm mbron pluralizmin mediatik dhe u kundërvihet përpjekjeve të qeverisë për të dëmtuar lirinë e medias”.
Vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova u pasua me reagime të ashpra në Kosovë dhe u cilësua si goditje e rëndë ndaj lirisë së medias. Por autoritetet këmbëngulin se, siç thuhet, zbatimi i ligjit kundër sipërmarrësve të fuqishëm që e shkelin atë për përftime financiare, nuk paraqet sulm ndaj lirisë së medias.