“Meeting of Styles” – Festivali i grafiteve në Prishtinë

120 artistë nga mbi 25 shtete të ndryshme të botës po qëndrojnë këto ditë në Prishtinë, në kuadër të festivalit të grafiteve “Meeting of Styles”.

Your browser doesn’t support HTML5

“Meeting of Styles” – Festivali i grafiteve në Prishtinë

Chus është një artist italian që viziton Kosovën për herë të parë. Në një bisedë me Zërin e Amerikës ai tha se është i befasuar për të mirë meqë para se të vinte kishte një lloj paragjykimi për Kosovën dhe vendet e Ballkanit në përgjithësi.

“Është hera e parë që vizitoj një vend të Ballkanit, do të gënjeja nëse them se nuk kam pasur paragjykime për shkak se nuk e kam njohur këtë rajon dhe mbaja mend vetëm nga fëmijëria që kishte një luftë këtu, por kurrë nuk kam qenë për vizitë dhe nuk dija cfarë të prisja. Jam i befasuar shumë për të mirë”, tha ai.

Anea Kuqi, bashkërenduese për mediat e këtij festivali, thotë se ai po rritet nga viti në vit duke përmbushur synimin për promovimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

“Po rritet edhe puna edhe veprimtaritë që zhvillohen, këtë vit është edhe punëtoria ku mund të shihet puna e artistëve se si zhvillohet hap pas hapi dhe janë të ftuar njerëzit nga të gjitha moshat, gjithashtu ka edhe ngjyrosje të fytyrës, muzikë, është edhe urban bazari ku artistët e rinj mund t’i shesin krijimet e tyre këtu në festival”, tha ajo.

Artistja Line, vjen nga Zvicra për të tretën herë në Kosovë për t’u bërë pjesë e këtij festivali.

“Kam ardhur me bashkëshortin tim i cili gjithashtu është artist dhe vajzën tonë dy vjeçe. Kosova është një vend shumë i përshtatshëm për familje, ka energji të mirë, na pëlqen shumë ky vend. Festivali është një mundësi e mirë për neve të takohemi me artistë të tjerë”, thotë ajo.

“Meeting of Styles” filloi për herë të parë në Gjermani në vitin 2002, si një nismë e admiruesve të grafitit, me synim të mbështetjes së shkëmbimit ndërkulturor mes vendeve të ndryshme. Në Kosovë këtë vit mbahet edicioni i shtatë i këtij festivali, që zgjatë tre ditë dhe zhvillohet në rrugën B në Prishtinë.