"Hibrid": Zhvillimet në veri të Kosovës rritën shkallën e keqinformimit

KOSOVO-SERBS/POLICE

Një studim i platformës për verifikimin e fakteve, Hibrid, nxjerr në pah se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, kanë bërë që të rritet shkalla e shpërndarjes së përmbajtjes keqinformuese në Kosovë.

Your browser doesn’t support HTML5

Hibrid: Zhvillimet në veri të Kosovës rritën shkallën e keqinformimit

Shkelzen Osmani, një nga autorët e këtij hulumtimi, tha se në gjashtë muajt e parë të këtij viti çështjet që ndërlidhen me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shfrytëzuar më së shumti për keqinformim.

“Te temat veriu ka qenë dominant me 10 për qind, ndërkaq raportet Kosovë – Serbi me 4 për qind, nëse këto dyja bëhen bashkë dhe trajtohen si tema që ndërlidhen me marrëdhëniet Kosovë – Serbi, atëherë mund të thuhet se kjo është tema kryesore me të cilën është keqinformuar”, tha ai.

Zoti Osmani tha se mediat në gjuhën serbe kanë krijuar dhe shpërndarë më shumë përmbajtje keqinformuese përgjatë kësaj periudhe.

“Dezinformatat shpërndahen kryesisht në momentet kur ka ngjarje politike që ndërlidhen me sigurinë, kjo ndërlidhet me ngjarjet në veri por edhe në rajone të tjera që banohen me serbë në Kosovë, të cilat janë ngjarje që u jipet karakter politik dhe ku ndërlidhet edhe siguria. Vlen të përmendet se në shumicën e rasteve kur veriu është i qetë, stimulohet narrativa që serbët në Kosovë janë të kërcënuar, se ekziston një plan i fshehtë nga institucionet për të dëbuar serbët nga Kosova”, tha ai.

Ndërkaq mediat në gjuhën shqipe sipas hulumtimit kanë shfrytëzuar më shumë çështjet sociale për të shpërndarë përmbajtje keqinformuese.

Pajtim Gashi Instituti Demokratik Kombëtar në Kosovë, tha se interesi financiar është një prej elementeve thelbësore që ndikon në shpërndarjen e dezinformatave.

“Duke filluar nga niveli kombëtar së pari e pastaj edhe ato të nivelit rajonal. Definitivisht edhe lajmet të cilat na vijnë edhe nga akterë të jashtëm sic është Rusia dhe Kina, këtë herë kanë qenë kryesisht të përqendruara në ngjarjet e veriut dhe më së shumti të ndërlidhura me rolin që ka pasur NATO edhe në clirimin e Kosovës, por posacërisht se si është duke menaxhuar ngjarjet në veri”, tha ai.

Alban Zeneli, profesor në departamentin e gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, tha se futja e lëndës së edukimit medial në shkollimin parauniversitar në Kosovë është e domosdoshme si formë e parandalimit së kësaj dukurie.

“Mesatarja e asaj se cfarë thotë testi PISA për 15 vjeçarët në gjithë botën është që vetëm një në nëntë prej tyre mund të dallojnë se çfarë është fakti e çfarë është opinioni kur lexojnë një përmbajtje. Nëse ne jemi në fund të listës së PISA-s, i bie që ky raport të jetë diku një me 25 ose 30 varësisht nga numri i shteteve. Kjo e bënë të domosdoshme futjen e lëndës së edukimit për media në nivelin parauniversitar”, tha ai.

Ky ishte edhe një nga rekomandimet e hulumtimit që u publikua sot me titull “Prapa ekraneve – raport për gjendjen e çrregullimit informativ”. Ndër të tjera raporti rekomandon edhe ndryshime ligjore në fushën e pronësisë, transparencës dhe financimit të mediave si dhe një angazhim të shtuar të Komisionit të Pavarur për Media dhe shoqërisë civile në monitorimin e debateve televizive me karakter politik.