Hovenier: E vështirë të thuhet nëse jemi afër shtensionimit të situatës në veri

Ambassador Hovenier

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se nuk mund të thotë nëse situata në veri të Kosovës është afër shtensionimit, ndërsa ritheksoi thirrjet për uljen e tensioneve dhe nevojën e bashkërendimit të qeverisë me aleatët perëndimorë përballë gjendjes në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Your browser doesn’t support HTML5

Hovenier: E vështirë të thuhet nëse jemi afër shtensionimit të situatës në veri

Të hënën i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha dhe kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi thanë se janë pajtuar për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës, por pa dhënë më shumë hollësi. As të martën palët nuk dhanë ndonjë informacion rreth këtij pajtimi.

Lexoni edhe këtë Lajçak: U pajtuam me kryenegociatorin Bislimi për hapat e parë drejt shtensionimit

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Diplomacia perëndimore kërkon uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Gjatë një veprimtarie në qytetin e Pejës, rreth 80 kilometra larg Prishtinës, ambasadori amerikan tha se ulja e tensioneve është çështje emergjente.

“Shtetet e Bashkuara mbesin po aq të përkushtuara sa kanë qenë për ta parë Kosovën që arrin synimet e veta. Ajo që nënkuptoj me këtë është se ne qëndrojmë fuqishëm prapa një Kosove sovrane, të pavarur, demokratike dhe multietnike e cila zë vendin e vet në strukturat euroatlantike. Ne punojmë shumë në arritjen e këtij qëllimi. Kjo padyshim nënkupton edhe që Kosova të shtrojë sovranitetin e vet. Veriu është i ndërlikuar dhe i vështirë kështu që mënyra se si qeveritë në Kosovë e menaxhojnë situatën atje është diçka shumë e brishtë për të cilën ne kërkojmë bashkërendim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar”, tha ambasadori Hoveiner.

Ai theksoi se shtensionimi do të mundësonte që angazhimi të kthehet te zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.

“Kjo nënkupton se ne duam t’i shmangim tensionet ose krizat e reja që pengojnë përpjekjet tona për ta parë zbatimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësisë së lartë strategjike në të mirë të qytetarëve të Kosovës si dhe të sigurisë rajonale”, tha ai.

Ndonëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë zotuar për shtensionimin e situatës, ende nuk ka ndonjë hap konkret për zbatimin e kërkesave perëndimore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të martën shprehu edhe një herë shqetësimin e aleancës për situatën e tensionuar në Kosovë. Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë pak para nisjes së takimit të lartë të NATO-s në Vilnius, i pyetur nëse është i gatshëm të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Jam në kontakt të rregullt me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe padyshim që jam i gatshëm ta takoj. Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për shtensionim dhe për përmbajtje nga çfarëdo veprimi që mund të rrisë tensionet edhe më shumë në rajon”, tha zoti Stoltenberg.

Javën e kaluar presidenti serb, Vuçiç paralajmëroi se do të kërkonte një takim me sekretarin Stoltenberg, para se të kërkojë një seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ai akuzoi Kosovën për siç tha “spastrim të heshtur etnik” të serbëve, duke lënë të kuptohet se Serbia mund të ndërmarrë më pas “veprimtari” të papërcaktuara për të ndalur atë që ai e përshkroi një “përndjekje” të serbëve në Kosovë.

Prishtina ndërkaq akuzon Beogradin për frikësim të serbëve të Kosovës dhe nxitje të grupeve kriminale në veri, ndërsa është zotuar të hedh hapa për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Shtimi i tensioneve ka shtuar edhe shqetësimet për ripërtëritje të konflikteve në rajon, në një periudhë kur kontinenti evropian po përballet me pasojat e agresioit rus në Ukrainë.