Ministri i Jashtëm i Turqisë tha të martën se dështimi i autoriteteve suedeze për të parandaluar protestat gjatë të cilave u dogj një kopje e Kuranit, ka ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe pikëpyetje në lidhje me anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Por Hakan Fidan shtoi se Turqia mund ta ratifikonte protokollin e anëtarësimit të Suedisë, nëse Stokholmi "përfundonte detyrat e shtëpisë" dhe bënte përpara me përpjekjet për të trajtuar shqetësimet e Turqisë.
“Fakti që sistemi suedez i sigurisë është i paaftë të parandalojë provokimet dhe po paraqet imazhin e një vendi që sjell probleme për NATO-n, në vend të më shumë fuqie, po na bën të mendojmë në aspektin strategjik dhe të sigurisë”, tha zoti Fidan, në një konferencë të përbashkët shtypi krah homologut të tij jordanez.
“Kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Suedisë në NATO, nëse kjo gjë do të ishte barrë apo përfitim, mbetet ende një çështje për diskutim”, shtoi ai.
Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga statusi i tyre neutral në raport me aleancën ushtarake dhe aplikuan për t'u bërë anëtarë të NATO-s vitin e kaluar, pas sulmit rus ndaj Ukrainës.
Turqia nuk e ka ratifikuar protokollin e anëtarësimit të Suedisë në aleancë, duke e akuzuar vendin se është shumë i butë ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron si kërcënime për sigurinë e saj, përfshirë militantët kurdë dhe anëtarët e një rrjeti që Ankaraja i fajëson për një grusht shteti të dështuar në vitin 2016.
Të hënën Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, sinjalizoi se vendi i tij nuk ishte gati të ratifikonte anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se Stokholmi duhet të bëjë më shumë në raport me detyrat që i takojnë të kryejë.
Duke folur pas një takimi të kabinetit, zoti Erdogan përsëriti dënimin ndaj djegies së Kuranit në Suedi javën e kaluar, duke e cilësuar veprimin si një krim urrejtjeje kundër muslimanëve.
“Ne e kemi bërë të qartë se lufta e vendosur kundër organizatave terroriste dhe islamofobisë janë vija jonë e kuqe”, tha zoti Erdogan. “Të gjithë duhet ta pranojnë se miqësia e Turqisë nuk mund të fitohet duke mbështetur terrorizmin apo duke u krijuar hapësirë terroristëve”.
Turqia ka shtyrë dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke e akuzuar Stokholmin se është shumë i butë ndaj demonstratave dhe grupeve anti-islamike që Ankaraja i konsideron si kërcënim për sigurinë.
Bëhet fjalë për grupe militante kurde që për disa dekada kanë zhvilluar një kryengritje vdekjeprurëse në Turqi. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, ka zhvilluar një kryengritje 38-vjeçare kundër Turqisë që ka lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar PKK-në organizatë terroriste.
NATO-ja dëshiron që Suedia të bëhet anëtare ndërsa afron takimi i udhëheqësve të aleancës në Lituani me 11 dhe 12 korrik. Zoti Erdogan thotë se Stokholmi ka ende detyrime për të përmbushur.
NATO-ja kërkon miratim unanim nga të gjitha vendet anëtare për t'u zgjeruar, ndërsa Turqia dhe Hungaria janë të vetmet që nuk e kanë ratifikuar ende kërkesën e Suedisë.
“Në vend të humbjes së kohës me taktika shpërqendruese, ne besojmë se mbajtja e premtimeve do të jetë një metodë më racionale dhe më e dobishme”, tha zoti Erdogan. “Ne i këshillojmë ata që t’i analizojnë gjërat dhe t’i bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë”.
Presidenti Erdogan po i referohej një memorandumi që Suedia dhe Finlanda nënshkruan me Turqinë vitin e kaluar, sipas të cilit ata ranë dakord që t’i trajtonin shqetësimet e Ankarasë. Lufta kundër islamofobisë nuk ishte e përfshirë në memorandum.
Javën e kaluar, policia suedeze lejoi një protestë pranë një xhamie në qendër të Stokholmit duke cituar lirinë e shprehjes, pasi një gjykatë hodhi poshtë vendimin për të ndaluar djegien e Kuranit.
“Sulmi i ulët ndaj librit tonë të shenjtë, Kuranit të Shenjtë, në Stokholm, kryeqyteti i Suedisë, na zemëroi të gjithëve”, tha zoti Erdogan. “Kjo shpërfillje përverse ndaj ndjenjave të 2 miliardë muslimanëve nuk mund të jetë në përputhje me vlerat më themelore njerëzore, apo me lirinë e mendimit”.
Suedia dhe Finlanda braktisën qendrimet e tyre tradicionale të mosangazhimit ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, nga frika se mund të vihen në shënjestër nga Moska pasi Rusia sulmoi Ukrainën vitin e kaluar. Finlanda u bë anëtare e aleancës në fillim të këtij viti pasi parlamenti i Turqisë ratifikoi kërkesën e vendit nordik.
Suedia ndryshoi legjislacionin kundër terrorizmit që kur aplikoi për anëtarësim në NATO, por Turqia argumenton se mbështetësit e grupeve militante mund të organizojnë lirisht demonstrata, të rekrutojnë dhe të sigurojnë burime financiare në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thirri javën e kaluar një takim me zyrtarë të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda në përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake. Takimi është caktuar të mbahet më 6 korrik.