Lidhje

Turqia pro anëtarësimin të Finlandës në NATO, por kundërshton Suedinë


Presidenti Rexhept Taip Erdogan tha sot se Turqia e sheh pozitivisht aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, por nuk mbështet Suedinë,

“Ne po monitorojmë me kujdes zhvillimet lidhur me procesin e zgjerimit të NATO-s. Suedia as të mos e marrë mundimin të përpiqet të çojë përpara kërkesën e saj. Ne nuk do t’i themi po aplikimit të tyre për anëtarësim në NATO, për sa kohe atje do të lejohet djegia e Kuranit, përpara syve të forcave të sigurisë. E shohim pozitivisht kërkesën e Finlandës, por negativisht atë të Suedisë”, tha zoti Erdogan në një fjalim në Parlament.

Tensionet mes Turqisë dhe Suedisë u rritën ndjeshëm gjatë muajit të kaluar për shkak të protestave kundër Turqisë, në një kohë që Suedia pret që Ankaraja të japë miratimin për anëtarësimin e saj në NATO.

Duke folur të martën në një konferencë për shtyp, kryeministri i Suedisë Ulf Kristesson tha se protestuesit islamofobikë dhe kundër zotit Erdogan që kanë zemëruar Turqinë dhe kanë vënë në rrezik anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar aleancës janë “idiotë të dobishëm” që ndihmojnë ata që i duan të keqen Suedisë.

Zoti Kristersson paralajmëroi se ngjarjet e javëve të fundit në Stokholm e kanë bërë të qartë se sa komplekse është mbrotja e sigurisë për Suedinë dhe se sa ngushtësisht të lidhura janë ngjaret kombëtare me ato ndërkombëtare.

“Kemi parë se si protesta të ndryshme në Suedi, plotësisht të ligjshme, të ndërmarra nga grupe të vogla apo individë, mund të kenë pasoja të rënda për imazhin e Suedisë në botë, për sigurinë e qytetarëve suedezë jashtë vendit dhe për sigurinë kombëtare të Suedisë dhe për procesin e anëtarësimi të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Kemi parë se si aktorë të huaj, përfshirë aktorë shtetërorë, kanë përdorur këto protesta për të nxitur zemërimin në një mënyrë që po dëmton sigurinë e Suedisë”, tha kryeministri suedez.

Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda bënë kërkesë për anëtarësim në NATO. Anëtarësimi duhet të miratohet nga të 30 vendet e aleancës, por ka hasur në kundërshtimin e Turqisë.

XS
SM
MD
LG