Kurti, plan tetë pikësh për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paraqiti të enjten një plan tetë pikësh për shtensionimin e situatës në veri të vendit, ndërkaq në një vendim më herët gjatë ditës qeveria e tij shpalli si terroriste dy organizata serbe në veri “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Your browser doesn’t support HTML5

Kurti, plan tetë pikësh për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës

Kryeministri Kurti tha se Kosova është e gatshme të hedh hapa drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit, duke theksuar nevojën për ndërmarrje të veprimeve urgjente drejt këtij qëllimi.

“Hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim: reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës dhe monitorimi i proceseve nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut; zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje të kryetarëve aktual, data e zgjedhjeve do të shpallet nga presidentja, ndërkaq katër kryetarët e komunave veriore do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj pas çertifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve.

Në këmbim, kryeministri Kurti kërkoi ndër të tjera angazhimin e Serbisë në tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre dhe zotimin për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë.

“Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura (të Serbisë) në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 bazave operative që ndodhen përgjatë kufirit. Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, tha ai.

Lexoni edhe këtë Administrata amerikane ndan shqetësimet e njëjta me Kongresin për tensionet në veri të Kosovës

Më herët, të enjten qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy grupe që, sipas institucioneve të sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, me banorë kryesisht të pakicës serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se këto organizata përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë në vend.

“Për më shumë se dy vite të mandatit tonë vendimet tona tërësisht të ligjshme janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të misionit EULEX dhe KFOR, sulme ndaj infrastrukturës kritike, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme dhe kërcënime ndaj qytetarëve tanë të të gjitha etnive, sulme ndaj kundërshtarëve politik, sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, zjarrëvënie të pronave publike dhe private dhe të ngjashme”, tha ai.

Shuarja e strukturave të tilla dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës ishte paraparë me një marrëveshje të vitit 2015 ndërmjet Prishtinës e Beogradit në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por autoritetet në Kosovë thonë se ato kanë vazhduar të funksionojnë pavarësisht marrëveshjes.

Lexoni edhe këtë Michel: Mbështesim idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë

Ministri Sveçla tha se vendimi i sotëm “nuk prek personat të cilët deri në momentin e shpalljes së organizatave si terroriste kanë qenë pjesë e tyre por nuk kanë kryer vepra penale”.

“Nuk vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave të cilët janë integruar apo janë amnistuar më herët, pra nuk ka prapaveprueshmëri në këto vendime. Pas këtij momenti cilido që është pjesë e këtyre organizatave është subjekt i hetimit e përndjekjes nga organet e drejtësisë. Janë organet adekuate të cilat bëjnë vlerësimet e nevojshme pastaj për secilin akt për secilin pjesëtarë të këtyre organizatave”, tha ai.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç nga radhët e komunitetit serb, votoi kundër vendimit duke e cilësuar atë si të hershëm dhe me mundësi të lërë pasoja të rënda në marrëdhëniet e Kosovës me qytetarët serbë në veri.

“Është shumë e vështirë që serbët në veri të binden se veprimet e qeverisë së Kosovës janë në interesin e tyre”, theksoi zoti Rashiç.

Vendimi u mor në një kohë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat filluan në fund të muajit maj kur autoritetet nisën zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.