Biden: Perëndimi nuk ka gisht në rebelimin kundër Putinit

Biden

Presidenti Joe Biden tha të hënën se, një kryengritje e shkurtër e mercenarëve rusë kundër Kremlinit ishte pjesë e një lufte brenda sistemit rus dhe se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk kishin gisht në të.

“Ne e bëmë të qartë se nuk ishim të përfshirë, nuk kishim të bënim me të”, tha Presidenti Biden në komentet e tij të para lidhur me rebelimin e mercenarëve të Wagner-it që shpërtheu gjatë fundjavës.

Gjatë prononcimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden foli rreth luftës për pushtet mes forcave të ndryshme në Rusi, ndërsa mercenarët marshuan drejt Moskës, por ndryshuan qëndrim.

Zoti Biden tha se i kishte kërkuar ekipit të tij të sigurisë kombëtare që ta përditësonte atë për situatën “orë pas ore” dhe të përgatitej për një sërë skenarësh, për të cilat nuk dha detaje.

Shërbimet e zbulimit rus po hetojnë nëse agjencitë perëndimore të spiunazhit luajtën rol në kryengritjen e ndërprerë në mes, citoi agjencia e lajmeve TASS të ketë thënë Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov të hënën.

Agjencitë amerikane të zbulimit “ishin në dijeni” të mundësisë së rebelimit të orkestruar nga kreu i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe e informuan Kongresin, tha një burim që kishte njohuri për çështjen, i cili foli në kushte anonimiteti.

Presidenti Biden tha se kishte biseduar me aleatët kryesorë në një video-konferencë për t'u siguruar që të gjithë kishin të njëjtin qëndrim dhe për të koordinuar përgjigjen e tyre.

“Ata ranë dakord me mua se duhet të sigurohemi që të mos i japim asnjë justifikim Putinit për ta fajësuar Perëndimin dhe NATO-n për këtë”, tha ai.

Presidenti Biden, i cili foli me homologun Volodomyr Zelenskiy të dielën, tha se do të bisedonte përsëri me të më vonë të hënën, ose të martën në mëngjes, për t'u siguruar që ata kishin të njëjtin qëndrim.

Zoti Biden tha se ai dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të vlerësojnë pasojat e rebelimit në Rusi.

“Është ende shumë herët për të arritur një vlerësim përfundimtar se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai, ndërsa theksoi rëndësinë që mesazhi për aleatët të jetë plotësisht i koordinuar.