Shtetet e Bashkuara po përqendrohen tek mbështetja për Ukrainën pas sfidës së hapur të grupit mercenar Wagner ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Siç na njeh materiali në vazhdim, analistët ngrenë pikëpyetje lidhur me fuqinë e sundimit të udhëheqësit rus pas rebelimit të armatosur të grupit mercenar që komandohej nga miku i tij i dikurshëm, Yevgeny Prigozhin.
Një ditë e qetë në kryeqytetin rus pasi Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner dhe trupat e tij i dhanë fund rebelimit të armatosur dhe marshimit drejt Moskës.
Është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë për sundimin e Presidentit Vladimir Putin sfida e armatosur që përfundoi me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bjellorusia. Kritikat e Prigozhinit ndaj udhëheqjes ushtarake ruse për mënyrën e zhvillimit të luftës në Ukrainë ishin bërë gjithnjë e më të ashpra. Uashingtoni po i vëzhgon zhvillimet nga afër, tha për rrjetin ABC Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
“Kanë dalë më hapur se kurrë pretendimet e rreme të Rusisë për të justifikuar agresionin, se Ukraina ose NATO-ja përbënin kërcënim për Rusinë, të cilin Kremlini duhet ta zgjidhte ushtarakisht. Se ku do të çojë kjo, nuk e dimë në këtë moment”.
Mbështetja për Ukrainën do të mbetet në qendër të vëmendjes së Uashingtonit, thotë zoti Blinken.
“Masa e shpërqendrimit dhe ndasisë mes rusëve mund ta bëjë edhe më të vështirë agresionin kundër Ukrainës. Por nga ana tjetër, paqëndrueshmëria në një vend të madh si Rusia përbën arsye për shqetësim”, tha zoti Blinken.
Pasi ra dakord për të mos i ndjekur penalisht rebelët e grupit Wagner, Presidenti Putin mund ta ketë kufizuar disi dëmin që iu bë reputacionit të tij, thotë ekspertja e studimeve të mbrojtjes, Marina Miron.
“Nuk u kthye në gjakderdhje të madhe. Kështu që Putini e dinte saktësisht se cilët butona të shtypte dhe arriti ta rregullonte situatën prapa skenës”.
Nëse, si pjesë e marrëveshjes, shefi i Wagnerit është tani vërtet në Bjellorusi, ai ende mund të luajë një rol në luftën kundër Ukrainës, tha për kanalin “Sky News” gjenerali në pension Richard Dannatt, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura britanike.
“Nëse ka shkuar në Bjellorusi dhe ka mbajtur një forcë efektive luftarake, atëherë ai paraqet përsëri një kërcënim për krahun ukrainas më afër Kievit”.
Ish udhëheqësi i lartë ushtarak britanik thotë se forcat ukrainase duhet të tregohen vigjilente.