Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, u shpreh “i alarmuar” të premten me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
“Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës duke parakaluar në jug të Mitrovicës, shoqëruar me gjuhë të rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, shkroi zoti Borrell në rrjetin Twitter.
Deklarata e tij pasoi njoftimin e policisë së Kosovës për arrestimin e një qytetari serb në veri të Mitrovicës, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të KFOR-it me 29 maj, me ç’rast të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse mbetën të plagosur.
Të premten Serbia përsëriti kërcënimin për ndërhyrje të armatosur në Kosovë, nëse paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja nuk veprojnë për të mbrojtur pakicën serbe nga siç u tha “përndjekjet” nga autoritetet e Prishtinës.
Shefi i Shtabit të ushtrisë serbe Milan Mojsiloviç, tha se e ka njoftuar komandantin e KFOR-it se “po i ndjekim ngjarjet me ankth të madh dhe se duhet të merren masa urgjente për të mbrojtur popullin serb”.
“Sot është e qartë se bashkësia ndërkombëtare nuk po i përmbush detyrimet e saj”, tha ai në një paraqitje të rrallë para gazetarëve, në të cilën nuk u lejuan pyetje.
"Forcat e armatosura serbe, në përputhje me kushtetutën dhe Kartën e OKB-së, nëse marrin një urdhër ... do të kryejnë plotësisht të gjitha detyrat e tyre në lidhje me krizën e përgjithshme të sigurisë", tha gjenerali serb të premten por pa dhënë hollësi.
Deklarata e tij u bë pak kohë pasi pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan në pjesën jugore të Mitrovicës, qytetit të ndarë në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se stërvitjet e sotme të Forcës së Sigurisë “janë një rutinë e planifikuar në bazë vjetore”, për të cilën është i informuar plotësisht KFOR-i. "Dezinformatat janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale, në të cilin përmendi edhe arrestimin e së premtes të një të dyshuari për sulm ndaj forcave të të KFOR-it.
“Si kryeministër i një shteti demokratik, kam zero përfshirje në hetimet e krimeve dhe në arrestime”, shkroi kryeministri Kurti duke bërë thirrje që lajmet të verifikohen para reagimeve.
“Shpërndarja e panikut dhe e pretendimeve të rreme vetëm sa ndez tensionet dhe ndihmon të tjerët që e kërkojnë eskalimin. Një thirrje për të gjithë: Ju lutem konfirmoni burimet tuaja dhe prisni për informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të përfshiheni publikisht në shpërndarjen e lajmeve apo të parashikoni ngjarjet”, shkroi kryeministri Kurti.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën në fund të muajit të kaluar kur autoritetet nisën të zbatojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen nëpër zyra komunale të kryetarëve shqiptarë.
Arrestimi i tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe me 14 qershor shtoi edhe më shumë tensionet ndërmjet palëve.
Sveçla: Kapet një sasi armatimesh në Zveçan
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla, tha të premten në mbrëmje se në qytetin e Zveçanit të banuar me shumicë serbe në veri, policia kapi një sasi të konsiderueshme armësh, përfshirë raketahedhës krahu, mjete shpërthyese, armë automatike dhe uniforma ushtarake. Ai tha se armët u gjetën në një makine me targa të Beogradit.
"Këto armë kishin për qëllim kryerjen e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Sveçla në llogarinë e tij në Facebook, duke publikuar fotografi të armëve të kapura. “Kjo është edhe një dëshmi se Serbia përmes grupeve dhe organizatave të tilla dëshiron të destabilizojë vendin tonë”, shkroi ai.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, takoi dje ndarazi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vucic, në Bruksel në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza.
Zoti Borrell, tha pas takimeve se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja veri të Kosovës, ndërsa u paraqiti palëve pritjet e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës
“Për Kosovën që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës”, tha zoti Borrell.
Të dyja palët tha ai, duhet të shpallin zgjedhjet e reja në të katër komunat, me pjesëmarrje të pakusht të serbëve në to.
Zoti Borrell tha se i ka kërkuar presidentit serb lirimin e menjëhershëm dhe pa kusht të tre policëve të Kosovës, një kërkesë e shtruar me forcë edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian janë të qarta për të dyja vendet.
“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës të ndërmarrin hapa konkret e të menjëhershëm drejt shtensionimit të situatës. Kjo përfshin lirimin e pakusht të policëve të Kosovës që po vazhdojnë të mbahen në Serbi”, tha ai duke shtuar se “të dy palët duhet të respektojnë planin tre pikësh të hartuar nga BE-ja dhe t’i kthehen bisedimeve pa vonesa”.
Kryeministri i Kosvës Albin Kurti është shprehur i gatshëm për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit por atyre tha ai, duhet t’u paraprijë vendosja e sundimit të ligjit.
“E kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, natyrisht me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur dhe e drejtë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Nuk mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve dypalëshe tash dhe se kemi një bazë të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit unë mund të them se ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që i kemi lënë pas”, tha ai.
Presidenti serb Vuçiç tha se nuk "ka ndonjë udhërrëfyes", për rrugëdaljen nga kriza në veri të Kosovës.
"Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe qëndrueshmëria janë thelbësore, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e (Albin) Kurtit ashtu siç janë detyruar ta durojnë deri tani”, tha ai.
Për të tretën ditë me radhë grupe qytetarësh serbë bllokuan të premten për pak kohë rrugën kryesore në Graçanicë afër Prishtinës, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një pjesëtari të komunitetit serb me 21 qershor, nën dyshimet për krime lufte, ndërsa në veri që nga 26 maji mbahen protesta para ndërtesave të komunave dhe nuk ka shenja që palët po ndërmarrin hapa konkret për uljen e tensioneve.
Lexoni edhe këtë Borrell: Jemi pajtuar për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të KosovësMinistrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë të hënën për situatën dhe rrjedhën e bisedimeve, ndërsa blloku ka paralajmëruar palët se do të përballen me pasoja nëse nuk punojnë për shtensionimin e gjendjes në terren.