Mirel: Kosova të dëgjojë kërkesat e aleatëve, rrezikon të ardhmen evropiane

Pierre Mirel

Ish Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, në një intervistë me Zërin e Amerikës tha se Kosova duhet të veprojë me shpejtësi në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë rreth situatës në veri, në të kundërtën rrezikon të dëmtojë rëndë të ardhmen e vet evropiane.

Your browser doesn’t support HTML5

Mirel: Kosova të dëgjojë kërkesat e aleatëve, rrezikon të ardhmen evropiane

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë nga Kosova shtensionimin e situatës në veri nëpërmjet tërheqjes së njësive të posaçme të policisë dhe organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat e banuara me shumicë serbe.

“Nëse gjendet një zgjidhje shpejt pra nëse ajo që është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian zbatohet nga kryeministri Kurti, mendoj se kjo situatë nuk do të harrohet, por sërish procesi do të vazhdojë të zhvillohet me lehtësi. Por. nëse vazhdon kësisoj pa vendime të shpejta, apo përsëritet situatë e ngjashme në javët e muajt në vazhdim me vendime të tilla të njëanshme, pa asnjë këshillim apo bashkëpunim, patjetër që po do ta dëmtonte shumë fuqishëm të ardhmen evropiane të Kosovës, kjo është e sigurt”, tha ai

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën nga fundi i muajit të kaluar, kur autoritetet e Prishtinës nisën zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve të 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët dhe përfaqësuesit politik të tyre. Me 26 maj nisën protestat e banorëve lokal serbë para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveqan e Zubin Potok, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë. Me 26 maj protestat u përshkuan me dhunë nga e cila u plagosën 30 pjestarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Ndonëse pati një proces të ligjshëm zgjedhor, thotë zoti Mirel, zbatimi i rezultatit të zgjedhjeve me pjesëmarrje shumë ultë ishte vendim i gabuar ndërsa tërheq vërejtjen se situata e krijuar ka njollosur imazhin e Kosovës në planin ndërkombëtar.

“Ky është problemi i vërtetë sepse ata u zgjodhën me 2.5 apo 3.5 për qind pjesëmarrje të votuesve, prandaj ishte e pamundur, nuk ishte një vendim i mirë. Por ajo që më brengos dhe madje më trishton më shumë është se e dini që jemi vlerësuar si miq të mirë të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e të tjera, dhe më trishton të shoh që kjo situatë po njollos imazhin ndërkombëtar të Kosovës, ndërsa Kosovës ende i duhet mbështetje e madhe ndërkombëtare, Kosovës i duhen pesë vendet mosnjohëse ta njohin pavarësinë e saj. Kjo situatë po e dëmton këtë proces dhe kjo më trishton shumë”, thotë ai.

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për mungesë të bashkërendimit lidhur me veprimet në veri. Një formë e ndëshkimit për këtë ishte edhe përjashtimi i saj nga pjesëmarrja në stërvitjet "Defender Europe 2023".

Zoti Mirel nuk përjashton mundësinë që edhe Bashkimi Evropian të vendosë ndonjë masë ndëshkuese për Kosovën në rast të mospërmbushjes së kërkesave ndërkombëtare.

“Bashkimi Evropian nuk parapëlqen vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që vlerësohet të jenë mike, me të cilat ka një bashkëpunim të mirë, dialog e të tjera. Por, nëse do të vendoste të shkonte në ekstrem do të ndodhte, sepse situata aktuale do të vazhdonte dhe qeveria nuk do të pranonte këshillat apo propozimet që janë hedhur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, thotë ai. (Intervistën e plotë lexojeni KËTU)

Krahas zgjedhjeve të reja, Kosova duhet të angazhohet me përparësi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë zoti Mirel. Ai vlerëson se moszbatimi i marrëveshjes për themelimin e tij është ndër arsyet kryesore të krizave të vazhdueshme në veri.

“Në këto kushte si munden serbët e veriut të Kosovës t’u besojnë dialogut të Prishtinës por edhe Bashkimit Evropian nëse për dhjetë vjet po u thuhet se do ta kenë asociacionin e tyre dhe ende asgjë nuk ka ndodhur? Kjo është e padrejtë dhe do të thotë tu japësh argumente atyre që thonë se ky dialog nuk funksionon, ose Prishtina nuk dëshiron të funksionojë. Për mua kjo është çështja kryesore sepse kjo u jep argumente edhe presidentit serb Vucic gjithashtu por edhe Moskës, kësisoj çështja bëhet edhe më serioze. Në këtë periudhë kohore në kontekstin e luftës që po vazhdon në Ukrainë, ne nuk duhet t’i japim argumente Moskës për të thënë ‘e shikoni pavarësinë dhe i shikoni trazirat në veri kundër serbëve me forca të NATO-s’. Kjo është shumë, shumë e keqe dhe shumë, shumë e dëmshme për tërë marrëdhëniet në rajon”, thotë ai.

Trazirat në veri dhe e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ishin temë e një debati të organizuar nga Asociacioni për Studim të Kombësive, të enjten në të cilin pjesëmarrës nga Kosova e Serbia thanë se udhëheqësit e të dyja vendeve kanë mungesë vullneti e gatishmërie për të zbatuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, për të cilën ranë dakord këtë vit në Bruksel pastaj në Ohër.

“Kur ndodhi Brukseli dhe Ohri në një mënyrë secila palë po lutej që tjetra të hiqte dorë në mënyrë që të mos fajësoheshin për vete. Kështu që i tërë procesi i negociatave nuk ishte me mendësinë që do të ulemi e të flasim për të ardhmen e vendeve tona, por më shumë ishte përpjekje se si lënë përgjegjësinë te pala e kundërt ashtu që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mos të na fajësoj neve por ata. Prandaj jemi tani në situatën që jemi”, tha Donika Emini nga Grupi i Politikave Ballkani në Evropë.

“Mendoj se të dyja palët kanë mungesë interesimi për të zbatuar këtë marrëveshje sepse ajo në njërën anë kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe nga ana tjetër kërkon që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Prandaj jam i bindur se tani për tani të dy udhëheqësit, Kurti dhe Vucic nuk janë të gatshëm të zbatojnë këtë marrëveshje”, tha Stefan Surliq, ligjërues në Universitetin e Beogradit.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

Marrëveshja Kosovë - Serbi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.