Në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, Zveqan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të enjten u betuan kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, në të cilat refuzuan të marrin pjesë përfaqësuesit politik të serbëve.
Your browser doesn’t support HTML5
Ceremonitë e betimit që per shkaqe sigurie u zhvilluan në ndërtesa publike dhe jo në kuvendet komunale përkatëse të komunave, kaluan pa ndonjë pengesë ndonëse Bashkimi Evropian kishte tërhequr vërejtjen mbi mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri gjatë zbatimit të rezultatit të zgjedhjeve që nxorrën për herë të parë kryetarë shqiptarë në këto komuna.
Në komunën e Leposaviqit, ceremonia e betimit të kryetarit Lulzim Hetemi nga radhët e lëvizjes Vetvendosje u zhvillua në fshatin Bistricë. Zoti Hetemi tha se punën do ta kryejë nga një zyrë në këtë fshat.
"Ne u betuam këtu në zyrën për komunitete në Bistricë dhe u bëjmë thirrje që njerëzit do të reflektojnë dhe do ta lirojnë ndërtesën e komunës. Ne do të shkojmë me qeveri aty ku kemi fituar, sepse nga këtu nuk ushtrohet detyra e kryetarit. Nëse nuk mundemi, do të shkojmë në zgjedhje prapë", tha ai.
Në komunën e Zveqanit, kryetari i ri, Ilir Peci, u betua në një ceremoni që u zhvillua brenda ndërtesës së një shkolle fillore në fshatin Boletin. Pas marrjes së detyrës ai tha se tash për tash do të punojë në ndërtesën e zyrës për komunitete të komunës së Zveqanit, ndërsa theksoi përkushtimin e tij për të punuar për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Do të punoj për të gjithë. Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit. Zyrën për momentin e kemi në zyrën e komuniteteve në fshatin Lipë”, tha zoti Peci.
Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, u betua në ndërtesën e zyrës komunale për komunitete.
“Uroj që tani e tutje të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ofruar për qytetarët e komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet", tha ai pas betimit.
Javën që shkoi detyrën si kryetar i Mitrovicës së veriut e mori Erden Atiq nga lëvizja Vetvendosje, duke nxitur reagime të ashpra të përfaqësueve politik të serbëve të Kosovës dhe të Beogradit zyrtar. Lista serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës e që mbështetet nga Beogradi, tha në një konferencë për media të premten e kaluar se me betimin e zotit Atiq “ka filluar zyrtarisht pushtimi i veriut”.
Në zgjedhjet e 23 prillit hodhën votën 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar.
Bojkotimi në shkallë të gjerë nga komuniteti serb ka ngritur shqetësimet e diplomatëve që thonë se rezultati i dalë nga një pjesëmarrje e tillë nuk ofron zgjidhje afatgjate politike për këto komuna.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkuren se pjesëmarrja e ultë në zgjedhje është rezultat i fushatës kërcënuese të Beogradit zyrtar, ndërsa theksoi se qeveria e tij po përpiqet të funksionalizojë institucionet për të garantuar shërbime publike për të gjithë qytetarët pa dallim.
Zveqani, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Mitrovica e veriut mbetën pa kryetarë rreth gjashtë muaj më parë kur përfaqësuesit politik të serbëve lokal dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi një vendim të qeverisë në Prishtinë për konvertim të targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës.
Beogradi zyrtar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e kushtëzon kthimin e serbëve në institucione por edhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën për të cilën palët u pajtuan me 27 shkurt në Bruksel dhe për planin e zbatimit të saj me 18 mars në Ohër. Autoritetet në Kosovë ndërkaq thonë se nuk pranojnë kushtëzime të tilla që nuk janë pjesë e marrëveshjes dhe këmbëngulin në zbatimin e menjëhershëm dhe të tërësishëm të saj.