Osmani: Këmbëngulja për ta trajtuar asociacionin me përparësi dëmton procesin e bisedimeve me Serbinë

VJOSA OSMANI

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti thanë të martën se kërkesat që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë parakusht për zbatimin e pikave tjera të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dëmtojnë procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

Ata i bënë këto komente një ditë pas takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel, i cili nuk solli përparim në rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe për zbatimin e së cilës palët u pajtuan me 18 mars në Ohër.

“Natyrisht që neni 7 është pjesë e marrëveshjes, mirëpo marrëveshja nuk është vetëm neni 7. Nuk e përmban neni 7 marrëveshjen por marrëveshja e përmban nenin 7. Këtë gjë zëvendësi im dhe kryenegociatori Bislimi dje e ka bërë shumë të qartë në takimin që ka pasur me kryenegociatorin e Serbisë, nën ndërmjetësimin e zotit Lajcak”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Kosova kërkon një plan zbatimi “të hollësishëm, konkret, serioz, të balancuar dhe gjithpërfshirës”.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të hënën pas takimit se pala serbe në këto diskutime ishte e interesuar vetëm për pjesën që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa theksoi se në marrëveshjen e Ohrit thuhet qartë se “asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër”. Ndërkaq kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç tha të hënën se Prishtina “nuk ka dashur të japë përgjigje konkrete për çështje të rëndësishme”.

Presidentja, Vjosa Osmani tha se Kosova nuk është pajtuar asnjëherë që një nen i caktuar të jetë parakusht për zbatimin e neneve të tjera të marrëveshjes.

“Interpretimet e reja që kërkojnë nga Republika e Kosovës që të dalë përtej asaj që është e shkruar në letër qoftë në marrëveshjen bazë apo në aneks, por edhe në deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, nuk e ndihmojnë procesin e dialogut. Presim që edhe interpretimet nga miqtë tanë të jenë në përputhje me atë që jemi pajtuar e jo të kërkohet nga Kosova të bëjë dicka që fare nuk është në marrëveshje”, tha ajo.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë e theksuar shpesh së fundmi nga diplomatët perëndimorë, por edhe nga Beogradi i cili me të e kushtëzon kthimin e serbëve vendas në institucionet e Kosovës që i braktisën në fund të vitit të kaluar por edhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Partitë politike serbe në Kosovë bojkotuan procesin zgjedhor të 23 prillit, për zgjedhjen e kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës. Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se këtë javë pritet betimi i kryetarëve të rinj, ndonëse Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës nëse Prishtina provon të zbatojë rezultatet e zgjedhjeve, sipas të cilave kandidatët e partive politike shqiptare do të drejtojnë komunat në veri.

“Sa i takon betimit të kryetarëve të rinj, nuk ka asnjë arsye të që të ketë tensione. Unë i ftoj të gjithë qytetarët që jetojnë në këto komuna që të mos bien pre e propagandës sepse këta kryetarë do të jenë aty për të gjithë qytetarët pa dallim etnie dhe do të punojnë me institucionet qendrore në mënyrë që të gjitha projektet që shtyhen përpara të jenë në të mirë të qytetarëve që jetojnë në këto komuna”, tha presidentja Osmani të martën.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, e mbështetur në shkallë të gjerë nga perëndimi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që filluan në vitin 2011 por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.