Kosovë, përplasje politike në parlament rreth menaxhimit të KEK-ut

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, përplasje politike në parlament rreth menaxhimit të KEK-ut

Parlamenti i Kosovës u përfshi të mërkurën nga debate të rrepta ndërmjet pushtetit dhe opozitës rreth menaxhimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, për të dytën herë në më pak se një javë pas arrestimit të kryeshefit të kësaj korporate, Nagip Krasniqi.

Zoti Krasniqi po mbahet në paraburgim që nga 19 prilli nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi. Arrestimi u kritikua javën që lamë pas nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një qasje politike negative ndaj qeverisjes së tij.

Opoizta e cilësoi këtë ndërhyje në sistemin e drejtësië ndërsa akuzoi qeverinë për përfshirje në afera korruptive në sistemin energjetik të vendit, duke theksuar se i arrestuari Krasniqi është nga radhët e partisë në pushtet.

“Është vazhdim i aferave, skandaleve e keqpërdorimeve në total të qindra miliona eurove që kanë ndodhur për këto dy vite në sektorin e energjisë në kohën e qeverisjes tuaj. Të gjitha këto bashkë shpërfaqin dy gjëra, e para që qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që ka instaluar në këtë sektor dhe e dyta qytetarët e Kosovës sot e kanë jetën më të vështirë dhe jetojnë më keq si pasojë e këtyre abuzimeve”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se të gjithë ne dhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të përshëndesin çdo aksion të policisë së Kosovës dhe organeve ndjekëse që kanë për qëllim t’i luftojnë rastet korruptive dhe aktivitetet kriminale kudo që ato ndodhin, është detyrë e jona që t’i mbështesim institucionet e pavarura të rendit dhe ligjit që të bëjnë punën e tyre për ndërtimin e shtetit të së drejtës”, tha Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Modeli i korrupsionit të lëvizjes Vetëvendosje njihet si lidhje e shkurtë korruptive. Si ndodhë kjo? Kur në një bord ku ka shumë interesa financiare vendosen dostat, ata që janë dosta të vendimmarrësve, të kryeministrit i cili personalisht i ka intervistuar këta, kuptojeni pak përse kryeministri del në këtë foltore dhe mbron dostin e jo prokurorin”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se askush nuk duhet të paragjykojë fajësinë e të arrestuarit për të cilin fjalën e fundit duhet ta japin organet e drejtësisë, ndërsa akuzoi opozitën se po përpiqet ta shfrytëzojë këtë situatë për luftë kundër qeverisë Kurti.

“Unë nuk jam këtu për të mbrojtur as për të akuzuar askënd, ju këshilloj edhe ju deputetë ta bëni të njëjtën. Është gjyqësori ai që i vlerëson faktet, i sheh dosjet dhe jep vlerësimin për këtë punë. Mirëpo mund të them një gjë që sigurisht se ne do ta luftojmë tentimin tuaj që arrestimin e zotit Krasniqi ta shndërroni në një kauzë për ta luftuar qeverinë sic kemi parë me raste të tjera në të kaluarën me energjinë”, tha ajo.

Korporata energjetike e Kosovës është kompania kryesore për prodhimin e energjisë elektrike në vend.