Komiteti i Ministrave miraton kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, vendosi të hënën tw miratojë kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, gati një vit pasi Prishtina paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në mekanizmin prej 46 vendesh.

Në një njoftim thuhet se vendimi mori parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 të arritura në dialogun (Kosovë – Serbi) e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t'i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Kërkesa tani i kalon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të diskutojë mbështetur në analizat dhe njoftimet e raportuesve të Këshillit të Evropës, para se ta hedh kërkesën për votim në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare. Nëse kërkesa mbështetet nga dy të tretat e vendeve anëtare atëherë i rekomandohet Komitetit të Ministrave që t’i bëjë ftesë Kosovës të bëhet anëtare e organizatës. Debatet për këtë çështja mund të shtohen në njërën nga seancat e radhës të Asamblesë Parlamentare, në muajin qershor apo muajin tetor të këtij viti.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e themeluar në vitin 1949.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se, “vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë” së Kosovës, duke tërhequr vëmendjen se procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës “është i gjatë dhe plot sfida”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, falënderoi aleatët që votuan në mbështetje të Kosovës ”por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi se “shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”.

Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në maj të vitit 2022 pak kohë pa përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Lexoni edhe këtë Kosova dorëzon kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kërkesa e saj nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha më herët të hënën se Serbia do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Marrëveshja Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe për zbatimin e së cilës palët u pajtuan me 18 mars në Ohër, parasheh që të dyja vendet të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.