Kosova dorëzoi të enjten kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Autoritetet në Prishtinë thonë se pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, tashmë janë hapur mundësitë për anëtarësim të Kosovës. Ata shpresojnë të marrin mbështetjen e dy të tretave të shteteve anëtare, të cilat kërkohen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla, përmes një video mesazhi nga Strasburg-u pasi që dorëzoi kërkesën për anëtarësim tha se sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës.
“Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës tonë e cila do të kaloj nëpër instanca të ndryshme të Këshsillit të Evropës, të Asamblesë parlamentare dhe në fund edhe te Këshilli ministror. Kosova është vendi më demokrattik në rajon, Kosova është vendi më proevropian në rajon dhe Kosova është vendi më optimist në rajon prandaj Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kjo procedurë të cilën e kemi nisur sot do të përfundoj me anëtarësim e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe qasje të tyre në instanca evropiane”, tha ajo.
Por kërkesa për anëtarësim të Kosovës ngjalli reagime të ashpra në Serbi. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç thirri për të premtën mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ndërsa akuzoi Kosovën për shkeljen e marrëveshjeve së Uashingonit. Në këtë marrëveshje që është nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë kërkohej që brenda periudhës një vjeçare, Kosova të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare ndërsa Serbia të ndalë fushatën e tërheqjeve të njohjeve për Kosovën.
“Me këtë Prishtina ka treguar se ka thyer një marrëveshje tjetër, atë të Uashingtonit, e kanë shkelur brutalisht dhe nuk shqetësohen për asgjë, e kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit për 10 vjet dhe tani pas kësaj kanë shkelur brutalisht marrëveshjen e Uashingtonit dhe rezolutën 1244. Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje, konflikt, por të japim një përgjigje në mënyrë racionale”, tha zoti Vuçiç.
Presidenti serb akuzoi edhe faktorët ndërkombëtar për qasje të ndryshme në raport me Serbinë.
“Pse atëherë na keni thirr në bisedimet e Uashingtonit kur në mundësinë e parë e keni shkel marrëveshjen e Uashingtonit, pse na thërrasin në çkado qoftë kur çfarëdo që nënshkruajmë me shqiptarët ata nuk do të respektojnë asgjë, pse na thërrasin? E bëjn këtë që të na detyrojnë për të njohur pavarësinë e Kosovës, dhe këtë nuk do të bëjmë”, tha presidenti serb.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Është themeluar në vitin 1949 dhe ka 46 shtete anëtare.