Të mërkurën në Parlamentin Evropian u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që shënon edhe hapin e fundit para botimit të këtij vendimi në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.
Duke filluar nga një janari i vitit 2024 qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
Your browser doesn’t support HTML5
Raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten, tha në një konferencë për media pas ceremonisë së nënshkrimit se ky hap është dëshmi e përkushtimit të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe në përgjithësi rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Zoti Reuten tha se më në fund udhëtimi për në vendet e Bashkimit Evropian, për festa, vizita familjare e biznesore, do të bëhet shumë më i lehtë për qytetarët e Kosovës.
“Fakti se qytetarët nga të gjitha vendet fqinje të Kosovës kishin mundësi të udhëtojnë për në vendet e Bashkimit Evropian pa viza, përveç Kosovës, ishte i padrejtë dhe i paarsyeshëm dhe është një çlirim i madh që kjo çështje po përmbyllet. Kosova ka punuar shumë fort në përmbushjen e të gjitha kushteve dhe i ka përmbushur ato para shumë vitesh”, tha ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se liberalizimi i vizave do të lehtësojë jetën e qytetarëve të Kosovës krahas forcimit të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian.
Zoti Bislimi tha se qeveria e Kosovës së shpejti do të nisë një fushatë për të garantuar informimin e saktë të qytetarëve mbi lehtësitë dhe kufizimet që sjell liberalizimi i vizave.
“Çdo qytetar i Kosovës e di se sa i vështirë, i kushtueshëm dhe burokratik është procesi i paisjes me vizë. Ishte posaçërisht e rëndë kur pas një procesi të tillë kërkues qytetarve u refuzoheshin vizat. Por vitin tjetër qytetarët tanë nuk do të kenë më nevojë të kalojnë nëpër një proces të tillë”, tha ai.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në territorin e Bashkimit Evropian.