Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha të martën se një autokolonë diplomatike amerikane u qëllua të hënën në Sudan në një sulm që duket të jetë kryer nga e lidhur me grupin paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, në një incident që zoti Blinken e përshkroi si "të pamatur" dhe "të papërgjegjshëm".
Incidenti nxiti një paralajmërim të drejtpërdrejtë nga sekretari Blinken, i cili telefonoi veçmas udhëheqësin e RSF-së, gjeneralin Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, dhe shefin e ushtrisë sudaneze, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan, për t'u thënë atyre se çdo rrezikim i diplomatëve amerikanë është i papranueshëm.
“Mund të konfirmoj se dje një autokolonë diplomatike amerikane është qëlluar”, tha sekretari Blinken në një konferencë me gazetarë në qytetin turistik japonez Karuizawa, ku mori pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara.
“E bëra shumë të qartë se çdo kërcënim, sulm, apo rrezikim i diplomatëve tanë, është krejtësisht i papranueshëm”, tha ai, duke nënvizuar se askush nuk ka pësuar në sulmin e së hënës.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar sigurisht për mjedisin e përgjithshëm të sigurisë që prek civilët, siç prek diplomatët, siç prek punonjësit e ndihmës", tha sekretari Blinken.
Lexoni edhe këtë Sudan, vazhdojnë luftimet - SHBA dhe Britania bëjnë thirrje për armëpushimShtetet e Bashkuara janë në bashkërendim të ngushtë me vendet e tjera që kanë ndikim në Sudan, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Britaninë, tha ai, si dhe me Bashkimin Afrikan dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Të hënën në mbrëmje u raportua se ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan, Aidan O’Hara, është sulmuar në shtëpinë e tij në kryeqytetin Khartum. Duke e konfirmuar lajmin, shefi i politikës së Jashtmë të BE-së Josep Borrell shkroi se “ky paraqet shkelje të Konventës së Vjenës. Siguria e personelit diplomatik është përgjegjësi e autoriteteve sudaneze dhe detyrim, sipas ligjit ndërkombëtar”.
Luftimet në Sudan deri tani kanë lënë pas vetes të paktën 185 të vrarë dhe mbi 1 mijë e 800 të plagosur, ndërsa të dyja palët pretendojnë fitoren në një konflikt përgjatë të cilit janë përdorur sulme ajrore dhe artilerie.
Përleshjet kanë vazhduar pavarësisht thirrjeve të shumta nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për t’u dhënë fund luftimeve, si dhe përpjekjeve të Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për t'i bërë rivalët të pajtohen për një armëpushim.