Lidhje

Sudan, vazhdojnë luftimet - SHBA dhe Britania bëjnë thirrje për armëpushim 


Dy fraksionet ushtarake që luftojnë për kontroll në kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, pretenduan se kishin fituar të hënën, pasi numri i të vdekurve nga dhuna arriti në mbi 180, ndërsa po bëhen thirrje nga Uashingtoni, organizma të shumta ndërkombëtare dhe kryeqytete në mbarë botën për vendosjen e menjëhershme të armëpushimit.

Banorët në Khartoum raportuan se kishin dëgjuar goditje të avionëve luftarakë dhe të sistemeve anti-ajrore pasi nata ra në qytet të hënën, ndërsa dhuna mes ushtrisë sudaneze dhe një force paraushtarake vazhdoi për të tretën ditë.

Volker Perthes, përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara në Sudan, u tha gazetarëve me anë të një lidhjeje video nga Khartoumi të hënën se të paktën 185 njerëz ishin vrarë dhe më shumë se 1,800 u plagosën që kur filluan luftimet të shtunën.

Numri i viktimave nga luftimet ka të ngjarë të rritet, me shumë prej të plagosurve që nuk kanë mundësinë për të shkuar në spital për të marrë kujdes mjekësor. Një grup mjekësh sudanezë tha se luftimet kishin "dëmtuar rëndë" edhe shumë spitale përreth kryeqytetit.

Një pjesë e madhe e kryeqytetit ka mbetur pa energji elektrike dhe ujë. Dhuna preku gjithashtu qytetet simotra të Khartoum-it, Omdurman dhe Bahri, me urat që lidhin qytetet të bllokuara nga automjete të blinduara.

Lufta mes forcave të ushtrisë dhe një grupi paraushtarak po zhvillohet kryesisht në kryeqytetin Khartoum, në qytetin fqinj Omdurman dhe në disa zona tjera të vendit.

Përplasjet janë pjesë e luftës për pushtet midis gjeneralit Abdel-Fattah Burhan, komandant i forcave të armatosura dhe gjeneralit Mohammed Hamdan Dagalo, komandanti i grupit paraushtarak, që e quan vetën Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Të dy gjeneralët, dikur aleatë, orkestruan së bashku grusht shtetin ushtarak në tetorin e vitit 2021, i cili ndërpreu tranzicionin jetëshkurtër të Sudanit drejt demokracisë.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly bënë thirrje të hënën për armëpushim në Sudan.

“Ne jemi në kontakt me partnerët në botën arabe, në Afrikë, në organizata ndërkombëtare dhe të gjithë pajtohen mbi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm dhe një kthim në bisedime për vendosjen e Sudanit në rrugën e një tranzicioni të plotë drejt qeverisë të udhëhequr nga civilët. Njerëzit në Sudan duan demokraci”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Me këtë qëndrim u pajtua edhe shefi i diplomacisë britanike, Cleverly.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me miqtë tanë të ngushtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me miqtë tanë në Afrikë dhe më gjerë në botën arabe për të çuar Sudanin drejtë paqes dhe një demokracie civile”, tha zoti Cleverly

Sekretarët Blinken dhe Cleverly u takuan në Japoni, ku diplomatët nga Evropa dhe Amerika e Veriut po diskutojnë krizat më të rënda në botë, duke përfshirë mënyrat për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, për t'u përballur me agresionin e Kinës ndaj Tajvanit dhe për të joshur Korenë e Veriut përsëri në bisedimet e çarmatimit bërthamor.

XS
SM
MD
LG