Kosova shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë

NATO/KOsovo

Në 24 mars të vitit 1999, NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, e cila shënoi edhe fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Ndërhyrja e NATO-s pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë

“Kjo ndërhyrje ndodhi vetëm pas shterrimit të të gjitha rrugëve diplomatike për t’i dhënë fund fushatës së egër të spastrimit etnik nga regjimi i Millosheviçit”, thuhet në një deklaratë të misionit të përhershëm të Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, në të cilën nënvizohet se ndërhyrja e NATO-s ishte e nevojshme dhe e ligjshme, ndërsa u bëhet thirrje qeverive në Serbi e Kosovë që të mbështesin përpjekjet për drejtësi dhe llogaridhënie.

Në Kosovë 24 marsi vlerësohet si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit, ndërsa zyrtarët e Beogradit e cilësojnë Serbinë si viktimë të, siç thuhet, agresionit të NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten gjatë një manifestimi në fshatin Gllogjan rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës se fushata e NATO-s i dha fund gjenocidit ndaj popullit shqiptar.

“Ky akt i dha mbështetje të fuqishme vendit tonë, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në konfirmimin e fuqishëm që e drejta ishte në anën tonë dhe se Serbia ishte agresori i cili po kryente gjenocid mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Për 78 ditë sa zgjati fushata ajore, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ngushëlloi familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve të 90-ta, përfshirë edhe ata që pësuan si rrjedhojë e fushatës ajrore të NATO-s.

“E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë”, shkroi ambsadori Hill në rrjete sociale, duke nënvizuar përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit me Serbinë.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen perëndimore, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Kosova dhe Serbia për më shumë se një dekadë janë përfshirë në një proces bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, në kuadër të të cilit përfaqësuesit e të dyja vendeve u pajtuan javën e kaluar të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mirëpritën këtë marrëveshje të premten ndërsa u bënë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me shpejtësi dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse.

Plani evropian për të cilin palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa me 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.