Udhëheqësja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Zeinah Salahi, tha të martën se pavarësisht përparimit që ka shënuar Kosova në çështje të barazisë gjinore, gratë vazhdojnë të mbesin të nënpërfaqësuara në shumë shkallë të vendimmarrjes.
Your browser doesn’t support HTML5
Ajo i bëri këto komente në hapjen e javës së gruas në Kosovë që këtë vit i kushtohet “Barazisë si parakusht për ripërtëritjen e demokracisë”.
“Komunitetet joshumicë mbesin të nënpërfaqsuara në institucionet e nivelit qendror dhe gratë janë shumë të nënpërfaqsuara në pozita udhëheqëse. Kosova ende përballet me mungesë të politikbërjes gjithëpërfshirëse dhe me këndvështrim gjinor. Kjo javë është një mundësi për të gjithë ne që të diskutojmë tema të rëndësishme që ndihmojnë në sigurimin e një demokracie më të barabartë, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme”, tha zonja Salahi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se çdo përpjekje për përparim të demokracisë mund të jetë e suksesshme vetëm kur të fuqizohet zëri i të gjithë qytetarëve pa dallim.
“I grave, burrave pa dallim. Më pastaj institucionet e kanë për detyrë të sigurojnë mbështetjen, burimet por edhe orientimin strategjik të cilat krijojnë infrastrukturën e nevojshme siç është institucionalizimi pra i veprave individuale. Ky vullnet, ky përkushtim ekziston sot më shumë se kurrë. Nëse duam demokraci të fortë atëherë kemi nevojë për qytetarë të fuqizuar, kur qytetarëve u krijohen mundësitë për pjesëmarrje e angazhim, niveli i përgjegjësisë së institucioneve fillon e rritet gjithnjë e më shumë”, tha presidentja Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vuri theksin te nevoja e edukimit të djemve dhe burrave mbi çështjet e barazisë gjinore në vend.
“Sepse shpesh herë jemi përqendruar te emancipimi i grave për të drejtat e tyre, gjë që sigurisht është shumë mirë, mirëpo duhet të emancipohen burrat dhe djemtë, mbase sidomos djemtë sepse sa më herët që fillojmë në moshë aq më mirë është dhe kjo të inkuadrohet edhe në sistemin e edukimit pra në kurrikulat tona, për emancipimin e tyre mbi të drejtat e grave dhe të vajzave”, tha kryeministri Kurti.
Java e gruas nisi si program dhjetë vjet më parë nga Instituti Demokratik Kombëtar në Kosovë, duke ofruar një platformë për të fuqizuar gratë në pozita vendimmarrëse në nivel lokal, për të arritur pozita edhe më të larta udhëheqëse. Java e gruas, me një sërë veprimtarish për disa ditë me radhë, synon të vë në pah problemet me të cilat përballen gratë në Kosovë dhe të tërheq vëmendjen për punë më të madhe në sigurimin e barazisë gjinore në vend.