KQZ rrëzon kërkesën e Berishës për regjistrim në zgjedhjet vendore dhe kërkon plotësime në dokumentat e PD-së së Alibeajt

Komisioneri Ilirian Celibashi

Në Tiranë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve refuzoi sot kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit si subjekt zgjedhor me emrin Partia Demokratike e Shqipërisë.

Kërkesa e tij u cilësua nga komisioneri i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, se nuk bazohej në ligj dhe nuk kishte regjistrime certifikuese nga gjykata.

Zoti Celibashi ktheu për plotësim brenda 48 orëve dokumentacionin me kërkesën e Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën.

Këto dy dokumenta duhen saktësuar brenda 48 orëve, e deri atëherë kërkesa nuk cilësohet as e pranuar as e refuzuar, dhe plotësimi i tyre mbetet për t’u verifikuar në një mbledhje tjetër të KQZ-së.

Ai tha se kjo kërkesë bazohet në ligjin për partitë politike, sipas të cilit, partia përfaqësohet nga kryetari, dhe në regjistrimet e gjykatës Lulzim Basha është kryetar i saj.

Por zoti Celibashi theksoi se deklarata solemne e këtij subjekti mbi zbatimin e ligjit duhet të nënshkruhet nga kryetari i partisë, pra nga zoti Basha, dhe jo nga drejtuesi i deleguar, Alibeaj, duke saktësuar se “përfaqësimi mund të delegohet, por jo përgjegjësitë”.

Deklarata solemne përmban angazhimet mbi zbatimin e ligjit dhe, sipas tij, ky duhet të nënshkruhet nga kryetari i partisë, në këtë rast nga zoti Lulzim Basha dhe jo nga i deleguari i tij, Alibeaj.

Ndërkaq, drejtuesi i deleguar i Partisë Demokratike, nënkryetari i saj, Enkelejd Alibeaj, i deklaroi “Zërit të Amerikës” para pak çastesh se dokumentat paraqitur në KQZ janë në përputhje të plotë me ligjin dhe nuk kanë asgjë për plotësim. “Ne i kemi plotësuar detyrimet tona lidhur me regjistrimin dhe presim që KQZ të zbatojë ligjin, dhe të regjistrojë Partinë Demokratike në zgjedhjet vendore”, tha zoti Alibeaj. Ai shtoi se deri tani PD nuk ka marrë ende nga Komisioneri i Zgjedhjeve një dokument shkresor lidhur me vendimin e sotëm mbi kthimin e dokumentacionit të PD-së për plotësim.

Zoti Alibeaj tha se delegimi i drejtimit të partisë në emër të tij, si nënkryetar, nga ana e kryetarit Lulzim Basha përfshin përgatitjen e gjithë dokumentave dhe përfaqësimit të Partisë Demokratike.

“Deklarata solemne, që vërtet ligji thotë se e bën kryetari, përmban një angazhim që gjithë strukturat e partisë nuk do të përfshihen në shitblerje votash, bashkëpunim me krimin etj. Ajo është një deklaratë solemne pa asnjë efekt ligjor, në kuptimin që ato janë vepra penale, dhe prokuroria nuk pyet se kush e ka bërë deklaratën, por kap shkelësit e ligjit. Këto nuk janë arsye që partia të mos regjistrohet”, theksoi zoti Alibeaj.

Një qëndrim të ngjashëm publikoi në Tëitter edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. “PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë”, shkruan zoti Bardhi.

Partia Demokratike është përfshirë prej disa kohësh në një krizë përfaqësimi, qyshkur drejtuesi i saj Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar pasi ish kryeministrin Sali Berisha, sapo ky i fundit u përcaktua, së bashku me familjen, nga sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, si i përshtatshëm për të vizituar SHBA-të për shkak të korrupsionit domethënës dhe cënimit të demokracisë.

Zoti Basha deklaroi atëherë se Partia Demokratike nuk do të mbante kurrë në radhët dhe forumet e saj persona të shpallur non grata nga SHBA-të, aleate strategjike të saj dhe të Shqipërisë.

Por zoti Berisha nisi një tur nëpër Shqipëri për t’u kthyer në krye të partisë, prej nga dha dorëheqjen me humbjen e zgjedhje në vitin 2013.

Konflikti në gjirin e PD-së kulmoi me një sulm masiv të dhunshëm një vit më parë të mbështetësve të ish kryeministrit Berisha ndaj selisë qendrore të partisë, i cili u frenua falë ndërhyrjes së policisë.

Zoti Basha ia ka deleguar funksionet drejtuese të partisë kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, ndërsa të dy palët kanë zhvilluar kongrese për të zotëruar përfaqësimin e partisë, dokumente të cilat tani janë kthyer nga Gjykata e Apelit për rigjykim në shkallën e parë.