Lidhje

Vula e PD-së, bie vendimi që njohu Kuvendin e Berishës. Apeli kthen çështjen për rigjykim


Gjykata e Apelit, duke dhënë vendimin për çështjen e PD-së
Gjykata e Apelit, duke dhënë vendimin për çështjen e PD-së

Në Shqipëri, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm vendoi sot të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së parë, çështjen që lidhet me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike për drejtimin e kësaj force politike. Me këtë vendim, juridikisht, strukturat drejtuese të PD-së janë ato të zgjedhura në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga zoti Basha, i cili në mars të vitit të kaluar dha dorëheqjen.

Vendimi nga Gjykata e Apelit për drejtimin e Partisë Demokratike
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Kryetar i komanduar në atë kohë u caktua nënkryetari Enkelejd Alibeaj, i cili tani konsiderohet si përfaqësues i ligjshëm i PD, dhe ka të drejtën që brenda ditës së hënë të rregjistrojë këtë forcë politike në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, për garën e pushtetit vendor më 14 maj. Ish kryeministri Sali Berisha, reagoi me tone të ashpra, pak pas shpalljes së vendimit. Ai foli për një akt, që sipas tij “synon, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri”.

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga zoti Lulzim Basha. Po atë ditë, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij morën kontrollin e selisë së partisë, pasi kishin dështuar më 8 janar të 2022, kur udhëhoqën një sulm të dhunshëm ndaj godinës, ku qëndronte zoti Basha e përkrahësit e tij.

Vendimi i Gjykatës së Tiranë, u ankimua menjëherë nga zoti Alibeaj, dhe vetëm sot pas gati një viti, çështja u mor në shqyrtim. Përfaqësuesit e zotit Berisha kërkuan nga gjykata e Apelit, mospranimin e ankimit per shkak se sipas tyre zoti Alibeaj nuk legjitimohet për një akt të tillë, ose në alternativë, të pushojë ankimimin si të pabazuar në ligj dhe prova.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e zotit Alibeaj kërkuan prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhe pushimin e çështjes ose në alternativë prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili ishte në sallën e gjyqit, deklaroi menjëherë pas vendimit se sipas tij bëhej fjalë për “një vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet, nuk ka asnjë interpretim tjetër. Eshtë një vendim, i cili haptazi ka thyer çdo rregull që deri më sot ka vendosur jo vetëm legjislatori por dhe jurisprudenca, duke pranuar ankimin e një pale e cila nuk përbën as minorancë në PD, por i ka shërbyer gjatë gjithë kësaj kohe vetëm një qëllimi, përpjekjes së Edi Ramës që të mos ketë përballë opozitën e vërtetë”.

Pas tij nga selia e Partisë zoti Berisha po ashtu tha se “tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës”. Duke akuzuar trupën gjykuese, zoti Berisha u shpreh se grupimi tjetër e kishte pranuar në sallë se nuk kishte qenë palë në proces. “Çdo gjykatës me integritetin minimal, kur pala tjetër deklaronte se nuk ishte palë në këtë proces, mbyllte procesin dhe nuk vazhdonte më tutje, por ata kishin në sirtar vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës për të ndëshkuar opozitën politike”, u shreh ai.

Zoti Berisha iu drejtua më pas me një thirrje “anëtarëve dhe simpatizantë të PD-së të ngrihen në lartësinë e tyre të misionit historik, misionit të shpëtimi të pluralizmit, demokracisë, të shoqërisë shqiptare dhe Shqipërisë. Çdo shqiptar, sot më shumë se kurrë pret nga guximi ynë, qëndrimi ynë realizimin e këtij misioni”, deklaroi ai duke njoftuar se në ditët e ardhshme do të mblidhen forumet e partisë dhe “mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor, asgjësues të shpallur nga narkoshteti dhe Edi Rama, do të marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme”.

Vendimi i Apelit për Partinë Demokratike, reagon Sali Berisha
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Por përveç reagimit, zoti Berisha do të duhet të mendojë se si do të mund të angazhohet në zgjedhjet e 14 majit. Mundësi e gjetjes së një kompromisi me grupimin e zotit Alibeaj duket e pamundur. Ndërsa variant i përdorur në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të vitit të kaluar, kur kandidatët e tij garuan nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” i rregjistruar nga LSI-PDK, mund të ishte sërish një zgjidhje.

Ish presidenti Ilir Meta, i cili drejton Partnë e Lirisë (ish LSI) reagoi në linjë me zotin Berisha. “Akti i paralajmëruar i Edi Ramës përmes gjykatës së kapur nuk e ndryshon dot fatin e tij”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se “Edi Rama ky frikacak i tmerruar nga zgjedhjet do ta ketë opozitën fitimtare përballë tij në 14 maj shumë më të motivuar dhe shumë më të organizuar se kurrë më parë”.

Nga ana e tij, zoti Alibeaj foli për “një ogur të mirë për demokratët, që prej më shumë se 1 viti po kalojnë një periudhë të vështirë”. Ai lëshoi sinjale pajtimi kur në postimin e tij në Facebook u shpreh se “kjo është dita kur të gjithë ne, demokratët duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për tu përballur me regjimin e Edi Ramës dhe të lëmë mënjanë grindjet dhe mosmarrveshjet mes nesh të shkaktuara nga mentaliteti i vjetëruar i politikës shqiptare. Ftojmë të gjithë demokratët që të lenë mënjanë pakënaqësitë dhe të jemi bashkë në përballjen e 14 Majit. Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve”, shkroi ai.

Ashtu si zoti Berisha, që ka përzgjedhur me kohë kandidatët e tij përmes një gare brenda partisë, edhe zoti Alibeaj ka prezantuar shumë nga kandidatët për kryetar bashkie. Por ai do të duhet të zgjidhë ndërkohë dhe një problem juridik. Zoti Basha rezulton të jetë ende kryetar i Partisë Demokratike, duke qenë se dorëheqja e tij nuk u formalizuar në gjykatë. Dhe me gjasë do të duhet të jetë ai që të firmosë dhe kërkesën për rregjistrim në zgjedhjet vendore. Firma e kryetarit të Partisë është e domosdoshme veçanërisht në rregjistrimin e listës së kandidatëve. Përfaqësuesi ligjor i zotit Alibeaj, tha pas vendimit të Apelit se do t’i drejtohen menjëherë gjykatës, për të rregjistruar dorëheqjen e zotit Basha si kryetar i Partisë.

XS
SM
MD
LG