Strehimi i përkohshëm i fëmijëve të braktisur në Kosovë

Your browser doesn’t support HTML5

Strehimi i përkohshëm i fëmijëve të braktisur në Kosovë

Fatmire Hoti Musliu jeton në komunën e Obiliqit, rreth 10 kilometra larg kryeqytetit. Ka më shumë se pesë vjet që ajo ka hapur dyert e shtëpisë së saj për fëmijët e braktisur, duke e shndërruar familjen e saj në strehimore të përkohshme të fëmijëve pa kujdes prindëror.

“E kam parë në shkollë ka qenë një fushatë vetëdijesimi nga OFAP dhe Qendra për Punë Sociale. Jam interesuar, më është dukur diçka e paarritshme ta marr e të kujdesem vet në shtëpi për një fëmijë të huaj. Kam dashur vetëm ta provoj se a mundem unë të ia dal të ndihmoj dikë se e kam pasur gjithmonë një dëshirë të madhe t’i ndihmoj dikujt, ta bëj një vepër që nuk mundet ta bëjë çdonjëri”, thotë ajo.

Që nga viti 2017 Fatmirja është kujdesur përkohësisht për tre fëmijë deri në adoptimin e tyre nga familje adoptuese apo kthimin e tyre në familjet biologjike. Dea – një vajzë 7 muajshe, emri i së cilës është ndryshuar nga redaksia në mbrojtje të saj, është fëmija i katërt që po qëndron në familjen e Fatmires.

“Këtë e kam qe pesë muaj, është fëmijë i shëndoshë, vital, i mirë, fëmijë i urtë, ushqehet mirë, po rritet. Një ditë pa të unë nuk do të mund të bëja, sa herë zgjohem unë e marr dhe luaj me të, i përcjelli fëmijët e mi në shkollë, e ndërroj e ushqej, pastaj vazhdoj ditën. Kjo flen e zgjohet sërish e ushqej, kujdesem për të dhe çdo gjë më duket si kënaqësi, si të bëj diçka rekreacion dhe jo punë”, thotë ajo.

Fatmirja thotë se rritja e një fëmije është sa sfiduese aq përmbushëse, ndërsa momenti më i rëndë sipas saj është koha kur ndahet nga fëmijët për të cilët kujdeset.

“Ajo është më e vështira për neve, momenti më i vështirë është kur vjen koha të dorëzojmë fëmijët, sikur të ta marrin një fëmijë tëndin sepse lidhesh emocionalisht, të mungon në familje, të mungon sjellja, të mungon thirrja. Mua zakonisht të gjithë më thërrasin nanë, nuk mund të mos i them ‘hajde te nana’ se më duket sikur nuk po e afroj sa duhet, nuk po kujdesem sa duhet, nuk po e dua sa duhet, kështu që gjithçka barabartë me fëmijët e mi, as më shumë as më pak”, thotë Fatmirja.

Ajo thotë se do të vazhdoj të bëjë këtë punë derisa të ketë shëndet pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballet.

“Një herë si ta fillosh këtë punë më nuk mund ta lësh, unë përderisa të mundem e të jem shëndosh e bëjë këtë punë dhe gjithmonë do ta bëj. Nëse më ofrohet mundësia ta marr një fëmijë e mos ta pranoj më duket sikur po bëj diçka shumë të keqe, them përse nuk i ndihmova edhe këtij kur kam mundësi? Edhepse jeta po sjell lloj lloj vëshirësish e besa tash edhe çmimet janë ngritur dhe çdo gjë është bërë më e kushtueshme por vullneti na bën që ta vazhdojmë këtë punë”, thotë ajo.

Sebahate Limani Xhymshiti, nga Organizata për Fëmijët pa Përkujdes Prindëror – OFAP, i tha Zërit të Amerikës se në Kosovë aktualisht janë 36 familje strehuese.

“Familjet strehuese rekrutohen apo përzgjidhen prej Qendrave për Punë Sociale që i kemi si akterin kryesor, partnerin që bashkëpunojmë dhe i japim mbështetje meqë është edhe organ shtetëror. Ne si organizatë i mbështesim me seanca psiko sociale, sepse kryesisht organizata jonë përbëhet prej psikologëve, punëtorëve social, sociologëve dhe pedagogëve. Meqë mosha e fëmijëve në strehim varion dhe varësisht prej nevojave ose kërkesave që i ka familja strehuese ne i mbështesim me shërbimet që mundet organizata jonë”, tha zonja Limani Xhymshiti.

Ajo thotë se një familje mund të përkujdeset për deri në tre fëmijë përnjëherë, por ka raste kur ky numër tejkalohet për shkak të rrethanave të ndryshme.

Familjet e tilla mbështeten nga shteti me një shumë të hollash të cilën ajo e konsideron simbolike.

“Për fëmijë me zhvillim tipik është vlera prej 250 eurosh, për fëmijët me nevoja të veçanta është 350 euro. Mirëpo fatmirësisht ka komuna që po i mbështesin familjet strehuese veçmas, po ndajnë disa të ardhura varësisht se sa e kanë buxhetin komunat përkatëse, por disa komuna nuk i mbështesin. Koalicioni i Organizatave për Mbrojtje të Fëmijëve ku jemi pjesë edhe ne, është duke lobuar për ndryshimin e legjislacionit në mënyrë që familjet të kenë mbështetje më të madhe në të ardhmen”, tha ajo.

Në kuadër të ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kosovë, ekziston një departament i posaçëm që trajton politikat sociale dhe familjare. Ky institucion nuk i është përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës mbi numrin e fëmijëve të braktisur në një vit dhe arsyet e braktisjes së tyre. Por sipas të dhënave të organizatës OFAP, në Kosovë braktisen mesatarisht rreth 300 fëmijë në vit.