Të paktën shtatë të vrarë në një sulm afër një sinagoge në Jeruzalem

Shooting attack in Jerusalem

Shërbimi izraelit i Shpëtimit Mada tha se një person i armatosur vrau të paktën shtatë persona dhe plagosi dhjetë të tjerë në një sulm afër një sinagoge të premten mbrëma në Jeruzalemin lindor, një nga sulmet më të përgjakshëm ndaj izraelitëve në vite.

Autori i armatosur është qëlluar nga policia dhe sipas njoftimeve ai është vrarë. Sulmi ndodhi një ditë pasi trupat izraelite vranë nëntë palestinezë gjatë një operacioni në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor.

Më herët gjatë ditës, niveli i dhunës u duk se kishte rënë pas sulmit më vdekjeprurës izraelit në dy dekada.

Forcat izraelite vranë të enjten nëntë palestinezë, përfshirë të paktën shtatë militantë dhe një grua 61-vjeçare, në incidentin më vdekjeprurës në Bregun e pushtuar Perëndimor në dy dekada, thanë zyrtarët palestinezë. Bastisja bëri që drejtuesit palestinezë të ndërpresin lidhjet e sigurisë me Izraelin, një veprim që mund të çojë në më shumë dhunë.

Të premten herët, ushtria izraelite tha se dy raketa u hodhën nga Rripi i Gazës dhe u interceptuan nga sistemi i saj i mbrojtjes raketore Iron Dome. Ky ishte sulmi i parë i tillë nga territori i kontrolluar nga militantët e Hamasit që kur kryeministri Benjamin Netanyahu u kthye në pushtet në krye të një qeverie të ekstremit të djathtë që ka vendosur një linjë të ashpër kundër militantëve palestinezë.

Bastisja në kampin e refugjatëve Jenin rrit rrezikun e një shpërthimi të madh në luftimet izraelito-palestineze, përbën një provë për qeverinë e re të vijës së ashpër të Izraelit dhe hedh hije mbi udhëtimin e pritshëm të Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në rajon javën e ardhshme.

Departamenti amerikan i Shtetit bëri një deklaratë duke e dënuar me forcë sulmin dhe njoftoi se nuk do të ketë ndryshime në planet e udhëtimit të Sekretarit Blinken.

Lexoni edhe këtë SHBA e shqetësuar për dhunën në Lindjen e Mesme, në prag të vizitës së sekretarit Blinken

Autoriteti Palestinez tha se do të ndalonte lidhjet që forcat e tij të sigurisë mbajnë me Izraelin në një përpjekje të përbashkët për të frenuar militantët islamikë. Kërcënimet e mëparshme kanë qenë jetëshkurtra, pjesërisht për shkak të përfitimeve që gëzon autoriteti nga kjo marrëdhënie dhe gjithashtu për shkak të presionit të SHBA-së dhe Izraelit për ta ruajtur atë.

Autoriteti Palestinez tashmë ka kontroll të kufizuar mbi enklavat e shpërndara në Bregun Perëndimor dhe pothuajse asnjë pushtet mbi bastionet militante si kampi i Jeninit. Por njoftimi mund t'i hapë rrugën Izraelit për të rritur operacionet që ai thotë se janë të nevojshme për të parandaluar sulmet.

Hamasi, grupi militant islamik që kontrollon Gazën, kërcënoi të hakmarret për sulmin. Përshkallëzimi i dhunshëm në Bregun Perëndimor ka shkaktuar më parë lëshimin e raketave hakmarrëse nga Rripi i Gazës.

Forcat izraelite në Bregun Perëndimor dhe në kufirin e Gazës kaluan në gatishmëri të shtuar. Palestinezët mbushën rrugët, duke brohoritur në solidaritet me Jeninin, dhe presidenti Mahmoud Abbas shpalli tre ditë zie. Në kampin e refugjatëve, banorët hapën një varr masiv për të vdekurit.