Lidhje

SHBA e shqetësuar për dhunën në Lindjen e Mesme, në prag të vizitës së sekretarit Blinken


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Egjipt, Izrael dhe Bregun Perëndimor këtë fundjavë, njoftoi Departamenti i Shtetit të enjten, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara shprehën alarmin për përshkallëzimin e dhunës pas operacionit më vdekjeprurës të Izraelit në Bregun Perëndimor në dy dekada.

Vizita e zotit Blinken në Izrael ishte planifikuar prej javësh, por bastisja izraelite në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor të enjten, që palestinezët thonë se shkaktoi 10 viktima, përfshirë një grua 61-vjeçare, ka të ngjarë të dominojë bisedimet e tij në Jeruzalem dhe Ramallah. Ushtria izraelite gjithashtu qëlloi për vdekje një palestinez 22-vjeçar, më vonë, të enjten.

Diplomatja më e lartë e SHBA-së për Lindjen e Mesme tha se administrata amerikane po u kërkon të dyja palëve të ulin tensionet pas sulmit dhe dënoi një njoftim të Palestinës për ndërprerjen e çdo bashkëpunimi në fushën e sigurisë me Izraelin, për shkak të sulmit

Barbara Leaf, ndihmës sekretarja e shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, tha se zyrtarët amerikanë kishin qenë në kontakt me zyrtarë të lartë izraelitë dhe palestinezë që kur ndodhi incidenti për të theksuar rëndësinë e qetësimit të situatës. Ajo shprehu keqardhje për viktimat civile të raportuara në Jenin.

Por, ajo tha gjithashtu se njoftimi palestinez për ndërprerjen e bashkëpunimit ishte një gabim, sikurse edhe premtimi i palës palestineze për ta çuar çështjen në Kombet e Bashkuara dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

"Natyrisht, ne nuk mendojmë se ky është hapi i duhur për të ndërmarrë në këtë moment," u tha zonja Leaf gazetarëve. “Ne duam t'i shohim ata të punojnë në një tjetër drejtim. Ne nuk mendojmë se ka kuptim" të shkohet në një forum ndërkombëtar tani, tha ajo. "Duhet të angazhohen me njëri-tjetrin."

Departamenti i Shtetit tha se zoti Blinken do të zhvillojë bisedime me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi në Kajro të dielën përpara se të shkojë në Jeruzalem dhe Ramallah të hënën dhe të martën për të takuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësin palestinez Mahmoud Abbas.

Ai do të jetë zyrtari i dytë i lartë amerikan që do të vizitojë Izraelin këtë vit, pas këshilltarit të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, i cili ishte atje javën e kaluar, ndërsa po rritej shqetësimi i Shteteve të Bashkuara mbi dhunën si dhe qeverisjen e re të krahut të djathtë të Benjamin Netanyahut.

"Me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë, sekretari do të nënvizojë nevojën urgjente që palët të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet në mënyrë që t'i jepet fund ciklit të dhunës që ka marrë shumë jetë të pafajshme," tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një deklaratë.

Udhëtimi u njoftua vetëm disa orë pas bastisjes izraelite ndaj terroristëve të dyshuar në kampin e refugjatëve në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.

Pas aksionit, ministri izraelit i mbrojtjes udhëzoi forcat në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në kufirin e Izraelit me Rripin e Gazës të viheshin në gjendje gatishmërie pasi Hamasi, grupi militant islamik që kontrollon Gazën, kërcënoi me hakmarrje.

Ndërkohë, Autoriteti Palestinez tha se kishte ndërprerë bashkëpunimin për sigurinë me Izraelin dhe do të paraqiste ankesa për bastisjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe organe të tjera ndërkombëtare.

Tensionet midis izraelitëve dhe palestinezëve janë rritur që kur Izraeli nisi sulmet në Bregun Perëndimor pranverën e kaluar, pas një vale sulmesh palestineze. Konflikti është intensifikuar këtë muaj, pasi qeveria e zotit Netanyahut mori detyrën dhe u zotua të mbajë një qëndrim të ashpër kundër palestinezëve.

“Në Jeruzalem dhe Ramallah, zoti Blinken do të nënvizojë gjithashtu rëndësinë që SHBA i kushton ruajtjes së status quo-së në vendin e shenjtë të Jeruzalemit të njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit dhe për myslimanët si Haram al-Sharif, ku shpesh kanë shpërthyer përleshjet”, tha zëdhënësi Price.

Administrata e zotit Biden ka shqetësime serioze për përbërjen e qeverisë së zotit Netanyahut, e cila përfshin disa politikanë izraelitë të ekstremit të djathtë, të cilët janë kundër disa prej politikave themelore të administratës në Lindjen e Mesme, duke përfshirë një zgjidhje me dy shtete për konfliktin afatgjatë izraelito-palestinez.

Njësoj si zoti Sullivan, edhe zoti Blinken nuk planifikon të takohet me anëtarët më të diskutueshëm të kabinetit, thanë zyrtarët amerikanë.

Departamenti i Shtetit tha se në Egjipt, zoti Blinken do të ngrejë çështje të të drejtave të njeriut sikurse edhe çështje që lidhen me paqëndrueshërinë e sigurisë në Libi dhe Sudan.

XS
SM
MD
LG