Grupe qytetarësh serbë u hodhën në protestë të dielën në komunën e Shtërpcës në jug të Kosovës, dy ditë pasi dy të rinj të këtij komuniteti u plagosën në një incident në rrethana ende të pasqaruara.
Your browser doesn’t support HTML5
Një 33 vjeçar i përkatësisë kombëtare shqiptare u arrestua në lidhje më incidentin dhe një gjykatë në Ferizaj i caktoi atij të dielen masën e paraburgimit prej një muaji.
Inicdenti ndodhi të premten në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës, ku sot në mesditë grupe qytetarësh serbë protestuan kundër siç u tha “shtypjes së vazhdueshme të serbëve të Kosovës”.
Kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, tha se komuniteti serb në Kosovë po kalon ditë të vështira.
“Sot në ditën e dytë të festës së Krishtlindjes, në vend se të kremtojmë si tradicionalisht, ne po ngrisim zërin nëpërmjet protestës kundër të shtënave ndaj të rinjëve serbë. Përse? Vetëm se janë serbë, vetëm përse po kremtonin Krishtlindjen. Rezultati i politikës së qeverisë aktuale në Prishtinë e cila është përgjegjëse që individ të caktuar mund të shtinë me armë mbi fëmijët tanë”, tha ai.
Kryetari i Listës Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Goran Rakiç, tha se serbët nuk duhet të dorëzohen ndaj siç u shpreh “regjimit diktatorial” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Lufta jonë me mjete paqësore dhe demokratike është arma më e fortë me të cilën ne mund t’i kundërvihemi regjimit antiserb dhe diktatorial të Albin Kurtit. Më besoni se nëse jemi të bashkuar gjithsesi që do të fitojmë. Kjo është zgjidhja dhe neve na duhet të mbijetojmë e të qëndrojmë sikur të parët tanë në kohë shumë më të vështira. Për këtë e kemi mbështetjen nga shteti ynë Serbia dhe nga presidenti ynë Aleksandar Vuçiç”, tha ai.
Policia tha se protesta kaloi e qetë.
Plagosja e të rinjve, të moshës 11 dhe 21 vjeçare, nxiti reagime të shumta të udhëheqësve të institucioneve vendase e ndërkombëtare.
Incidenti i cili u dënua ashpër nga përfaqësuesit e Beogradit ndodhi në një periudhë kur sapo u vendos liria e lëvizjes në komunat veriorë të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku për rreth tri javë rrugët u mbajtën të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë që protestuan ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve.
Bllokadat u hoqën pasi ish polici u lirua nga paraburgimi dhe u vendos në arrest shtëpie.