I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha të martën se është koha që të diskutohet për fillimin e themelimit të Asociacionit të komunave serbe dhe se këtë tha ai, ia ka bërë të qartë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë takimit me kryeministrin Kurti së bashku të dërguarin evropian Miroslav Lajçak.
“E kam bërë të qartë se presim që të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit të komunave serbe, këtë e kam bërë shumë të qartë”, tha ai.
Zoti Escobar tha se shpreson që të ketë shpejt një zgjidhje për krizën aktuale në veriun e Kosovës ndërsa i shprehu mbështetje propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lexoni edhe këtë Escobar në Prishtinë, takime me udhëheqësit e vendit“Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian është këtu dhe shpreha mbështetjen time për përpjekjet e tij që të lëvizë në propozimin franko-gjerman”, tha ai.
Lajçak: Barrikadat më mirë të hiqen me marrëveshje politike se më buldozer
I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, tha se vizita e tij në rajon ka të bëjë me krizën aktuale në veriun e Kosovës dhe çuarjen përpara të dialogut.
“Kemi krizë, kemi barrikada dhe kemi një situatë të vështirë në veriun e Kosovës prandaj zoti (Josep) Borrell kërkoi që të vijë. Unë do t’i takoj sonte komandantin e KFOR-it dhe shefin e misionit të EULEX-it për të diskutuar për situatën në terren dhe do të përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje të mundshme sepse kjo nuk është e mire. Unë nuk mendoj se ne thjesht duhet të presim që të ndodhë diçka e keqe. Tensionet nuk e ndihmojnë askënd dhe nuk mendoj se ndonjë person normal është i kënaqur me situatën e brishtë që e kemi në veri”, tha ai duke theksuar se nuk dëshiron të drejtojë gishtin tani për fajtorët, por tha se është i përkushtuar për të gjetur zgjidhjen e kësaj situate.
“Për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është nëse bëhet si rezultat i një marrëveshje politike e jo me buldozer”, tha ai.
Zoti Lajçak tha se “shumë gjëra janë thënë ditët e fundit dhe se atmosfera është mjaft e ndezur” duke u përgjigjur në pyetjen rreth kërkesës së Serbisë për të kthyer një numër trupash policore e ushtarake në Kosovë.
Takimi ndodhë në një periudhë tensionesh në veriun e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
Të dy diplomatët pritet të qëndrojnë të mërkruën në Brograd për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Diplomatët perëndimor shpresojnë të nxisin bisedimet rreth një propozimi evropian që parasheh normalizimin e marrëdhënieve por pa njohje që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.