I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ndodhet të hënën në Kosovë në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili parashikohej të shkonte në rajon me zotin Escobar e anuloi udhëtimin pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.
Zoti Escobar u prit në Prishtinë nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ndërsa priten takime edhe me partitë opozitare. Vizita e zotit Escobar tij po ndodh në një periudhë tensionesh në veriun e Kosovës ku grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një qytetari serb.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar largimin e barrikadave dhe çtensionimin e situatës. Pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve sipas propozimit të Bashkimit Evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.