Prokuroria e Prishtinës njoftoi se është ndaluar një person i cili dyshohet se vrau gruan e tij me sëpatë në orët e hershme të së premtes.
Your browser doesn’t support HTML5
Ende nuk dihet asgjë për rrethanat dhe motivet e vrasjes që ndodhi në ditën kur në në Kosovë zyrtarisht hapet fushata kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”.
Për 16 ditët në vijim rreth 200 veprimtari do të zhvillohen në mbarë Kosovën në kuadër të fushatës, në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin mbi dhunën ndaj gruas që vazhdon të jetë dukuri shqetësuese në Kosovë.
Rrjeti i Grave të Kosovës e dënoi ngjarjen e sotme duke theksuar “vrasja e grave ndodh si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi”.
Ky rrjet kërkoi dënimin maksimal të kryesit të veprës, duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë të mos marrin parasysh vetdorëzimin në polici dhe moshën autorit, që sipas rrjetit është praktikë e zakonshme.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, ky është rasti i dytë i vrasjes së grave gjatë këtij viti, derisa vitin e kaluar janë regjistruar 3 raste të tilla.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës policia tha se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor janë shënuar dy mijë e 273 raste të dhunës në familje.
Por, Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se të dhënat e policisë nuk e pasqyrojnë në plotni situatën në terren.
“Ajo që raportohet në organet e rendit është kryesisht dhunë fizike, dhunë më e papërballueshme e që shihet me shenja. Ndërsa dhuna tjetër, psikologjike e ekonomike nuk raportohet në Kosovë. Prandaj statistikat nuk është se e tregojnë gjithë situatën në Kosovë”, tha ajo.
Zonja Demolli tërheq vërejtjen te mungesa e një hulumtimi nga autoritetet shtetërore në Kosovë, mbi shkaqet e dhunës së vazhdueshme ndaj grave.
“Nuk e kemi nga ana e shtetit një hulumtim për femicid, ta zëmë që ta kuptojmë saktë gjendjen. I kemi të dhënat që i dimë por nuk i dimë shkaqet. A kanë ndërlidhje, a është diçka nga mendësia, a janë raste që kanë probleme me shëndetin mendor, ne nuk i dimë rastet e dokumentuara nga shteti”, tha ajo.
Ajo thotë se pandëshkueshmëria e atyre që ushtrojnë dhunë ndaj gruas, po e mban këtë dukuri kaq të përhapur.
“Kur shihet ky aspekt të tjerët nuk frikësohen ta kryejnë një vepër të tillë sepse mendojnë që do të kenë një ulje të dënimit, mendojnë që do të kenë mundësi t’i kthehen jetës normale pasi kanë bërë një vrasje. Shumë raste të tilla na tregojnë se moszbatimi i ligjit, mosdenimi meritor ndikojnë shumë në mënyrën se si ndodh më pas rasti tjetër”, thotë ajo.
Një hulumtim i lëvizjes Fol, i publikuar më herët gjatë vitit me mbështetjen e departamentit amerikan të shtetit, nxori në pah se shqetësim në sistemin e drejtësisë në Kosovë mbetet bartja e numrit të madh të lëndëve nga viti në vit. Sipas hulumtimit norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve që kanë të bëjnë me dhunën në familje në shtatë gjykatat themelore të Kosovës është 72 për qind.