Pas largimit nga puna të punonjësve të ekipit për të drejtat e njeriut në kompaninë Twitter, ekspertë ligjorë shprehen të shqetësuar mbi ndikimin që ky vendim mund të ketë tek liria e shprehjes, privatësia dhe siguria e përdoruesve në mbarë botën.
Your browser doesn’t support HTML5
Në vazhdën e shkurtimeve të mëdha të presonelit në Twitter, disa ekspertë kritikojnë vendimin për largimin nga puna të ekipit të të drejtave të njeriut të kompanisë, duke thënë se vendimi kërcënon sigurinë e përdoruesve të rrjetit social në mbarë botën.
Njerëzit shpesh përdorin platformën Twitter për të tërhequr vëmendje për protesta mbi çështje të ndryshme, duke përfshirë gjendjen e të drejtave të njeriut.
Ekipi i të drejtave të njeriut në Twitter angazhohej në hartimin e politikave që mbronin lirinë e shprehjes, duke mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve.
Pa këtë ekip dhe me shkurtimet e personelit që mbikëqyrte përmbajtjen në Twitter, disa përdorues mund të jenë në rrezik, thonë ekspertët.
“Ekipi i të drejtave të njeriut nuk e bëri Twitterin në mënyrë magjike një vend ku nuk kishte abuzime, por po shihnim përparim të ngadaltë gjatë viteve të fundit dhe është e tmerrshme kur mendon se gjithë ky përparim mund të zhduket”, thotë Michael Kleinman nga organizata “Amnesty International”.
Lexoni edhe këtë Elon Musk, pronari i ri i kompanisë TwitterQë kur Elon Musk mori drejtimin e Twitter-it, kompania po përballet me paqëndrueshmëri, duke humbur reklamat dhe duke bërë disa përdorues të kërcënojnë me largim nga platforma.
Zoti Musk thotë se po punon për ta bërë Twitter-in një kompani të qëndrueshme financiarisht.
Pavarësisht shkurtimeve të vendeve të punës, kompania thotë se nuk ka ndryshuar politikat e saj për kontrollin e përmbajtjes.
Twitter nuk pranoi t’i përgjigjet kërkesës për koment.
Disa ekspertë shqetësohen se regjimet represive si Kina dhe Irani mund të zgjerojnë operacionet e tyre të ndikimit duke manipuluar sistemin e verifikimit të llogarive të Twitter-it. Por, Elon Musk thotë se llogaritë e rreme do të jenë në shënjestër.
“Ne do të ndjekim me forcë çdo mashtrim… nëse dikush është i përfshirë në mashtrim, do ta pezullojmë atë llogari, të paktën përkohësisht”, tha ai.
Gjatë luftës në Ukrainë, ekipi i të drejtave të njeriut i Twitter-it pengoi qeveritë dhe mediat e lidhura me shtetin të postonin përmbajtje me të burgosurit e luftës, thonë ekspertët.
Ekipi luftonte përpjekjet e qeverive për të censuruar përmbajtjen në vende si India.
“Pa atë ekip dhe pa ekipe të ndryshme rajonale që kontrollojnë gjuhën e urrejtjes dhe postimet që nxisin dhunë, do të kemi një zyre bosh dhe shumë pak burime për të reaguar ndaj disa zhvillimeve vërtet shqetësuese në platformë”, thotë Deborah Brown, hulumtuese në organizatën “Human Rights Watch”.
Zoti Musk thotë se do të formojë një grup këshillues për çështjet mbi kontrollin e përmbajtjes. Tani për tani, zhvillimet në Twitter mund të shqetësojnë përdoruesit në disa pjesë të botës.
“Përdoruesit në një mjedis represiv, si Arabia Saudite ose India… shpresojnë që kompania t’i mbrojë, që kompania të mbrojë të dhënat e përdoruesit dhe mesazhet, që kompania të mbrojë lirinë e tyre të shprehjes, që t’i mbrojë kundër kërcënimeve ose nxitjes së dhunës”, thotë David Kaye, profesor në Universitetin e Kalifornisë.
Ndërsa kompania përpiqet të krijojë një bazë financiare, ndryshimet e fundit kanë bërë shumë përdorues të shqetësohen më shumë për rrezikun e postimit në Twitter.