Elon Musk është pronari i ri i kompanisë Twitter. Pas muajsh pritjeje, të enjten vonë ai përmbylli marrëveshjen për blerjen prej 44 miliardë dollarësh të kompanisë Twitter. Zoti Musk e nisi drejtimin e kompanisë me vendimin për largimin nga puna të disa prej drejtuesve më të lartë të saj, ndërsa ka paralajmëruar edhe shkurtime tjera të stafit. Kjo ka shkaktuar frikë dhe pasiguri mes punonjësve, ndërsa ekspertët thonë se planet amibicioze të zotit Musk janë të paqarta.
Pak pasi mori pronësinë e kompanisë Twitter, Elon Musk pushoi nga puna disa nga drejtuesit kryesorë të saj, shefin ekzekutiv Parag Agrawal, shefin e financave Ned Segal dhe shefen e çështjeve ligjore dhe politikave Vilaya Gadde, njoftojnë burime brenda kompanisë.
Më herët zoti Musk i kishte akuzuar ata se e kanë mashtruar lidhur me numrin e llogarive të rreme në platformë.
Menjëherë pas përmbylljes së marrëveshjes ai shkroi në Twitter se “zogu është i lirë”, një postim që mesa duket i referohet zogut blu në logon e kompanisë që ai e bleu për 44 miliardë dollarë.
Kompania Twitter, zoti Musk dhe udhëheqësit e pushuar nga puna nuk dhanë ndonjë koment të menjëhershëm.
Ekspertët thonë se afër 7 mijë e 500 punonjësit e tjerë të Twitter-it janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre, pasi zoti Musk ka paralajmëruar planet e tij për shkurtimet e vendeve të punës dhe ndërtimin e një të ashtuquajturi “super aplikacion”.
“Twitter me një pronar si Elon Musk ka mundësi të shkaktojë edhe më shumë kaos. Punonjësit tashmë janë të shqetësuar për largimet masive nga puna dhe ky është një shqetësim i vlefshëm. Por, sektorët ku do të ndodhin shkurtimet e punëtorëve do të na japin një ide më të qartë se çfarë synon të bëjë Elon Musk me kompaninë Twitter”, thotë ekspertja Jasmine Enberg.
Vetëm më pak se 10 për qindëshi i 266 punonjësve të kompanisë Twitter që morën pjesë në një sondazh të aplikacionin Blind, presin që gjatë tre muajve të ardhshëm të vazhdojnë ta kenë vendin e tyre të punës. Blind është një aplikacion që u mundëson punonjësve të shprehin ankesat e tyre në mënyrë anonime.
Shefi i kompanisë prodhuese të makinave elektrike “Tesla” dhe asaj hapësinore “Space X”, ka paralajmëruar se në Twitter do të ofrohet gjithçka, nga tansfertat e parave, deri tek blerjet online dhe udhëtimet me makinë.
Në të ardhmen e afërt, zoti Musk ka thënë se dëshiron të “heqë qafe” llogaritë e rreme në platformë, të krijojë algoritmet që përcaktojnë mënyrën se si përmbajtja u shfaqet përdoruesve dhe të parandalojë që platforma të kthehet në një hapësirë për shfaqje të urrejtjes dhe shkaktimit të përçarjeve, edhe pse ai është shprehur kundër cenzurimit të përmbajtjes.
Kjo ka nxitur spekulime se ai mund ta anulojë vendimin për përjashtimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump nga rrjeti social Twitter.
Ai u shpreh i kënaqur që Elon Musk mori kontrollin e Twitter-it, por nuk tha nëse do të kthehet apo jo në platformën që e ka përjashtuar pas sulmit të 6 janarit në Kapitol.
“Ka mundësi që një nga gjërat e para që ai do të donte të bënte është të kthejë të gjithë ata që janë përjashtuar ose të rikthejë të gjithë njerëzit kontrovers. Sigurisht kjo mund të ndodhte me ose pa Elon Muskun. Gjërat ndryshojnë sikur edhe opinionet e njerëzve. Duhet të presim dhe shohim nëse kjo do të jetë pjesë e politikave”, thotë Omar Akhtar, hulumtues në kompaninë Altimeter.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer tha se çdo kompani që vepron në bllokun prej 27 anëtarësh duhet të respektojë rregullat e lirisë së shprehjes të përcaktuara sipas ligjeve të Bashkimit Evropian.
“Ka disa aktivitete që nuk janë në përputhje me rregullat, rregulloret dhe ligjet e vendeve anëtare, gjëra që lidhen me gjuhën e urrejtjes, aktivitetet kriminale, terrorizmin e të tjera”, tha ai.
Njeriu më i pasur në botë tha se nuk e bleu kompaninë Twitter për t’u pasuruar edhe më shumë, por siç u shpreh ai “për të ndihmuar njerëzimin”.
“Ai e ka thënë vazhdimisht se nuk është për përdorimin e mburojave për të kontrolluar përmbajtjen. Unë mendoj se kemi prova të pafundme që pa mburoja në një platformë si Twitter ose kudo në median sociale, përfundon me urrejtje, përbuzje e paragjykim ndaj grave dhe teori konspirative. Kjo nuk është në të mirën e askujt”, thotë Claire Diaz-Ortiz, ish punonjëse e kompanisë Twitter.
Zoti Musk ende nuk ka dhënë detaje se si do t’i arrijë të gjitha planet e tij ambicioze për platformën Twitter dhe se kush do ta drejtojë kompaninë.