Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden bëri një paralajmërim të fortë sot ndaj Rusisë kundër përdorimit të një bombe me radioaktivitet ose të ndonjë tjetër lloji arme bërthamore në luftën në Ukrainë.
“Rusia do të bënte një gabim jashtëzakonisht serioz me përdorimin e armëve taktike bërthamore”, tha ai të martën kur një gazetar e pyeti nëse Rusia po sajon një “operacion mashtrimi” nëpërmjet përgatitjes së një bombe kontaminuese, ndërkohë që po akuzon Ukrainën se do të shpërthejë një të tillë në territorin e saj.
“Nuk jua garantoj dot ende se është një operacion mashtrimi. Nuk e di ende. Por, do të ishte një gabim serioz, serioz”, tha ai.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha të martën se ka arsye për shqetësim pasi Rusia “ka dëftuar një tendencë për akuzimin e të tjerëve për gjërat që po planifikon t’i bëjë vetë”. Të hënën, zoti Price paralajmëroi për “natyrën themelore të pasojave” në rast Moska do të vendoste në përdorim armë të tilla.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, dërgoi në orët e vona të së hënës një letër, me të cilën u njoh Zëri i Amerikës, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe Këshillit të Sigurimit, ku thuhet se Rusia “do ta konsiderojë përdorimin e një bombe kontaminuese nga regjimi i Kievit si një akt terrorizmi bërthamor”.
Ukraina ka mohuar me forcë aludimet e Moskës se po planifikon të shpërthejë një bombë radioaktive në territorin e saj dhe ka akuzuar Rusinë se po planifikon ta shfrytëzojë kërcënimin me një bombë të mbushur me material bërthamor si një pretekst për përshkallëzimin e situatës në Ukrainë.
Lexoni edhe këtë Ukraina: Rusët operacione sekrete brenda centralit bërthamorKëshilli i Sigurimit i OKB-së i diskutoi akuzat gjatë një takimi me dyer të mbyllura të martën.
“Nuk kemi parë apo dëgjuar ndonjë evidencë të re gjatë këtij takimi privat”, u tha gazetarëve zëvendësambasadori britanik në OKB, James Kariuki. “Përfaqësuesit e Britanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të qartë: këto janë aludime qartësisht false që po dëgjojmë nga Federata Ruse. Ukraina ka qenë e qartë; nuk asgjë për të fshehur; inspektorët e IAEA-së janë nisur tashmë”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën se vendet e NATO-s refuzojnë pretendimet e Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një bombë radioaktive në territorin e saj, duke shtuar se “Rusia nuk duhet ta përdorë si pretekst për përshkallëzim”.
Ndërkaq, kreu i forcave ushtarake ruse për mbrojtjen bërthamore, biologjike dhe kimike, Gjeneral Lietnant Igor Kirillov, tha gjatë një konference për shtyp se forcat ruse “po përgatiten për të punuar në kushte kontaminimi radioaktiv”.
Drejtori i përgjithshëm i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), Rafael Mariano Grossi, konfirmoi se “nuk u konstatuan aktivitete apo materiale të padeklaruara” në objektet bërthamore të Ukrainës.
“IAEA-ja inspektoi një nga këto vendndodhje një muaj më parë dhe të gjitha gjetjet tona ishin në përputhje me masat e sigurisë të marra nga Ukraina”, tha zoti Grossi.
Ai konfirmoi se të dyja vendndodhjet janë të mbrojtura nga masat e vendosura nga IAEA-ja dhe vizitohen rregullisht nga inspektorët e IAEA-së. Ai shtoi se IAEA-ja mori një kërkesë me shkrim nga Ukraina të hënën për të dërguar ekipe inspektorësh që të bëjnë verifikime në të dyja vendndodhjet.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bisedoi të hënën me zotin Grossi dhe shprehu vlerësimin për përpjekjet e IAEA-së për të mbrojtur sigurinë në stacionet bërthamore të Ukrainës, si dhe mirëpriti gatishmërinë për të dërguar atje ekipe inspektimi pas akuzave false të Rusisë.
Rusia ka kërkuar një takim të dytë të Këshillit të Sigurimit të enjten për të diskutuar akuzat e saj se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë zhvilluar aktivitete biologjike ushtarake në territorin ukrainas.
Në një letër prej 310 faqesh të dërguar vendeve të Këshillit të Sigurimit, presidentit të tij dhe sekretarit të përgjithshëm, ambasadori i Rusisë përsërit pretendimet e vjetra se dy vendet kanë përgatitur infektimin e zogjve shtegtarë, lakuriqëve të natës dhe madje edhe të mushkonjave me patogjenë vdekjeprurës, për t’i përdorur për të infektuar forcat ruse dhe civilët.
Ambasadori rus Nebenzia ka përfshirë edhe një projekt-rezolutë ku parashikohet krijimi i një komisioni për të hetuar zbatimin nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Ukraina të Konventës për Armët Biologjike. Propozimi thotë se në këtë komision do të përfaqësohen të 15-të vendet anëtare dhe se do të paraqesë një raport brenda datës 30 nëntor. Ky propozim i Rusisë nuk ka gjasa të marrë mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit.
Lexoni edhe këtë BE kërkon mbështetje për rindërtimin e Ukrainës