Në Berlin po mbahet një takim i nivelit të lartë përqendruar në çështje të
rindërtimit të Ukrainës. Konferenca, organizuar nga kancelari gjerman
Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen,
synon të përcaktojë një strategji mbi rindërtimin e vendit të shkatërruar
nga lufta që Moska nisi rreth nëntë muaj më parë.
Takimi i Berlinit për Ukrainën, konsiderohet i ngjashëm me Planin
Marshall të Shteteve të Bashkuara për rindërtimin e Evropës pas Luftës
së Dytë Botërore. Por megjithatë nuk pritet të bëhet ndonjë zotim
financiar apo të arrihet ndonjë marrëveshje politike.
Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal tha se që vendi të rimarrë veten
me shpejtësi do t’i duhen 17 miliardë dollarë.
Në tërësi, rindërtimi i vendit, i shkatërruar nga agresioni rus i nisur në
muajin shkurt, sipas ukrainasve do të kushtojë 750 miliardë dollarë. Por
Banka Botërore vlerëson se rindërtimi kërkon 349 milliardë dollarë.
Sipas kancelarit gjerman Olaf Scholz, Kievit i duhet një mbështetje e vazhdueshme për të frenuar përpjekjet ruse që sikurse tha ai “synojnë të zhdukin Ukrainën nga harta”.
Sulmet me dronë iranianë shënojnë një përpjekje të re e të neveritshme ruse për të zhdukur Ukrainën nga harta"
“Sulmet e fundit duke përfshirë përdorimin e dronëve kamikazë iranianë ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, shënojnë një përpjekje të re e të neveritshme ruse për të zhdukur Ukrainën nga harta. Kjo tregon vetëm një gjë: Rusia e Putinit është e dëshpëruar. Për t’u siguruar që Ukraina do të triumfojë, ne duhet të vazhdojmë ta mbështesim atë me vendosmëri”, tha kancelari gjerman, Scholz.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që foli drejtpërdrejtë nga Kievi, përsëriti kërkesën për dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore.
“Raketat dhe dronët iranianë, kanë shkatërruar më shumë se një të tretën e sektorit të energjisë pak para dimrit. Kërkoj që të merrni parasysh atë që na nevojitet në aspektin e sigurisë, dhe këtë e arrijmë duke rënë dakord për dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore”, tha presidenti ukrainas.
Këto janë akte të pastra terrori. Rusia po përpiqet të paralizojë Ukrainën, por ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë”
“Ukraina ka nevojë për rehabilitim të shpejtë pasi Rusia po kryen qëllimisht sulme ndaj infrastrukturës civile. Këto janë akte të pastra terrori. Rusia po përpiqet të paralizojë Ukrainën, por ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Von Der Leyen.
Ndërkaq Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mbërriti të martën në Ukrainë për një vizitë të befasishme, e para e tij që kur Rusia e nisi sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt.
“Mesazhi im për ukrainasit është: ‘Jo vetëm që qëndrojmë në anën tuaj, por ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën ekonomikisht, politikisht dhe gjithashtu ushtarakisht”, tha zoti Steinmeier.
Presidenti Steinmeier tha se Gjermania po punon në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, si dhe po ofron ndihmë për riparimin e infrastrukturës së shkatërruar përpara se të vijë dimri.