Studimi: 15% e viktimave të dhunës gjatë luftës në Kosovë ishin nën 18 vjeç

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt

Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila që nga viti 2019 ka nisur dokumentimin e përdhunimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës, bëri të ditur se nga 900 raste të dokumentuara deri tash, 15 për qind e tyre janë të moshës nën 18 vjeç.

Të dhënat u publikuan të martën në Prishtinë gjatë konferencës ndërkombëtare mbi dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale në konflikt.

Sipas kësaj organizate, të afërmit e viktimave kanë qenë të pranishëm gjatë aktit të përdhunimit në 71 për qind të rasteve, ndërsa përdhunimi në grup ka ndodhur në 47 për qind të rasteve.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt

Fatmire Haliti nga Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se nisma për dokumentimin e këtyre krimeve është marrë në mungesë të dokumentimit nga institucionet shtetërore në Kosovë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë e këtij procesi, si dhe mungesën e manualeve apo udhëzuesve për një dokumentim të tillë, QKRMT ka nisur një proces të ri i cili do t’i kontribuojë të gjithë atyre që janë duke bërë apo do të bëjnë dokumentim të krimeve të dhunës seksuale në kontekst lufte”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Kosova është vonuar shumë në këtë proces, por Instituti për Krime Lufte është në themelim e sipër dhe do të jetë përgjegjës për dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës.

“Megjithatë sfida më e madhe do të jetë kur të fillojë puna e këtij instituti, sepse më shumë se dy dekada pas luftës asgjë nuk është e lehtë dhe uroj që Ukraina të mos e ndjek shembullin e Kosovës në kuptim të vonesës në dokumentim. Kjo për faktin se gjithçka do të ishte më e lehtë sikur me dokumentim të merreshim menjëherë pas përfundimit të luftës dhe jo më shumë se dy dekada prej periudhës së pasluftës sepse shumë nga të mbijetuarit kanë ndërruar jetë, dëshmitarët gjithashtu”, tha zonja Haxhiu.

Irina Dovgan, e cila ishte përdhunuar në Donetsk të Ukrainës, në vitin 2014, ndërsa tash përfaqëson Rrjetin Ukrainas të Grave të Prekura nga Dhuna, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se i ka shërbyer mësimi i marrë nga rasti i Kosovës, dhe ka nisur dokumentimin e dhunës seksuale pak kohë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

“Tre vite më parë, e ftuar nga Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kam qëndruar në Kosovë dhe kam pasur mundësinë të kem qasje në dokumente e të studioj tërë praktikën e përdorur këtu. Kur agresioni nisi në Ukrainë, më hyri në punë kjo përvojë meqë e kisha përgatitjen e duhur se si ta përdori këtë praktikë në vendin tim. Kështu që ka më shumë se gjashtë muaj që po punoj në dokumentimin jo vetëm të dhunës seksuale por gjithë krimeve të luftës në Ukrainë”, tha ajo.

Ajo tha se si e mbijetuar e këtij krimi e ka shumë të vështirë të shoh që ai po përsëritet dhe po përdoret si mjet lufte nga forcat ruse.

“Unë nuk mund të flas për statistika zyrtare, por mund të jap informata nga përvoja ime personale dhe nga baza e të dhënave që unë kam grumbulluar. Si shembull mund të marr një fshat që e kam vizituar dhe ku janë tre raste të konfirmuara të përdhunimeve, një nënë, një vajzë nën 18 vjeç, dhe një vajzë tjetër 20 vjeç. I tërë fshati e di ngjarjen, në rastin ku janë përdhunuar nëna dhe vajza, babai dhe vëllai i saj janë vrarë, ndërsa në familjen tjetër ku u përdhunua vajza tjetër është vrarë babai i saj i cili po përpiqej ta mbronte. Tërë fshati thotë se ka shumë më shumë raste por gratë janë aq të turpëruara dhe të traumatizuara saqë nuk janë ende të gatshme të ndajnë përvojën e tyre”, tha zonja Dovgan.

Përfaqësues të institucioneve e organizatave vendase e ndërkombëtare theksuan gjatë konferencës se dokumentimi i krimeve që lidhen me përdhunimet është proces shumë sfidues, por i domosdoshëm për drejtësinë dhe përballjen me të kaluarën e vendeve që dalin nga konfliktet.