Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se ekziston një nismë franko-gjermane për përmbylljen e bisedimeve Kosovë – Serbi, por nuk është propozim përfundimtar.
“Diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet. Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruksel, Ëashington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë”, tha kryeministri Kurti.
Ai i bëri këto komente i pyetur nga gazetarët rreth pohimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Presidenti serb tha se “thelbi i dokumentit është që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe krejt organizatat ndërkombëtare. Serbisë ndërkaq do t’i përshpejtohej anëtarësimi në BE dhe do t’i ofroheshin shumë lehtësira ekonomike”, ndërsa nënvizoi “nuk ka vullnet ne udhëheqjen serbe për pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB”.
Lexoni edhe këtë Vuçiç: Franca dhe Gjermania kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në OKBNë fillim të muajit shtator kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron angazhuan këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç që “të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Të dy këshilltarët vizituan Prishtinën dhe Beogradin gjatë muajit shtator dhe pas asaj vizite u përfol një propozim i tillë si ai që paraqiti të shtunën presidenti serb.
As Parisi dhe as Berlini nuk e kanë konfirmuar ekzistencën e një oferte të tillë, e cila nuk ishte konfirmuar deri tani as nga autoritetet në Kosovë, që theksojnë se zgjidhja e vetme është njohja e ndërsjellë.
“...Idetë me të cilat shpeshherë ne testohemi nga zyrtarë dhe diplomatë të ndryshëm, nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra, duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është le të themi në gjendje të lëngshme, nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj. Pas ngurtësimit vjen publikimi”, tha kryeministri i Kosovës.
Serbia e cila mbështetet në përkrahjen e Moskës, kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovës është kusht për integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe të dyja vendet janë përfshirë në bisedime që nga viti 2011 por me pak përparime.