Lidhje

Vuçiç: Franca dhe Gjermania kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha të shtunën se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vuçiç: Franca dhe Gjermania kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd gjatë së cilës tha se “pozicioni i Serbisë po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar sepse perëndimi po përpiqet të zgjidhë çështjen e Kosovës me anëtarësimin e saj në OKB, meqë mendon se me këtë do t’i marrë argumentet nga duart presidentit rus Vladimir Putin”.

Ai theksoi se propozimi i Gjermanisë dhe Francës është një çështje për të cilën duhet biseduar dhe menduar, meqë siç u shpreh “nuk mund ta hidhni nga dritarja propozimin që vjen nga dy nga vendet më të fuqishme, por nuk jam i sigurt që mund ta pranojmë”.

Presidenti serb tha se “thelbi i dokumentit është që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Serbisë, ndonëse nuk është saktësuar, do t’i përshpejtohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe do t’i ofroheshin përfitime të rëndësishme ekonomike”.

Ai ritheksoi se për Serbinë është e papranueshme që Kosova të jetë në OKB dhe kjo do të ketë pasoja, ndërsa nënvizoi se “nuk do të na kërkohej njohja por që të dërgojmë sinjalin se pajtohemi”.

Por, tha ai. “aktualisht nuk ka vullnet ne udhëheqjen serbe për pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB”.

Presidenti serb tha se Serbia ka gabuar kur ka pranuar që Bashkimi Evropian të drejtojë bisedimet me Kosovën. “Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, nuk kemi qenë në gjendje të fusim në rend dite formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Presidenti serb akuzoi Prishtinën për siç tha provokime të përditshme duke dërguar njësitë e policisë në veriun e Kosovës të banuar me shumice serbe, ndërsa, kritikoi edhe praninë ndërkombëtare në Kosovë.

“Amerikanët po shtojnë praninë ushtarake me 300 trupa dhe është sinjal i qartë për ne dhe serbët në Kosovë që të mos ëndërrojnë për respektimin e vendimeve të OKB-së përfshirë Rezolutën 1244”, tha ai, ndërsa paralajmëroi se Këshilli i Evropës mund të fillojë procedurën për pranimin e Kosovës.

Serbia e cila mbështetet në përkrahjen e Moskës, kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovës është kusht për integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe të dyja vendet janë përfshirë në bisedime që nga viti 2011 por me pak përparime.

Në fillim të muajit shtator kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron angazhuan këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç që “të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Të dy këshilltarët vizituan Prishtinën dhe Beogradin gjatë muajit shtator dhe pas asaj vizite u përfol një propozim i tillë si ai që paraqiti sot presidenti serb.

Autoritetet në Kosovë nuk e konfirmuan ekzistimin e një dokumenti të tillë, duke theksuar se zgjidhja e vetme është njohja e ndërsjellë.

As Parisi dhe as Berlini nuk e kanë konfirmuar ekzistencën e një oferte të tillë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, i takuan ndarazi të enjten në Pragë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në margjinat e takimit përurues të Komunitetit Politik Evropian, përgjatë të cilit u vu theksi tek izolimi i Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk i ka vënë sanksione Moskës për shkak të agresionit rus në Ukrainë, me gjithë kërkesën e BE-së që të harmonizojë politikat e saj me ato të bllokut.

Presidenti serb tha të shtunën se asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e Serbisë ndaj kësaj çështjeje.

XS
SM
MD
LG