Një vendim i Gjykatës evropiane të të Drejtave të Njeriut gjen shkelje në procesin që çoi në shkarkimin nga ana e Kolegjit të i Posaçëm të Apelimit, të ish prokurorit Besnik Cani, në kuadër të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas vendimit të publikuar sot, ish prokurorit i është cënuar “e drejta për një gjykatë të krijuar me ligj”, parashikuar nga Konventa europiane. Për këtë, vendimi i referohet faktit që pjesë e trupës gjykuese ka qenë anëtari i Kolegjit Luan Daci, i shkarkuar pasi të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar e gjetën atë fajtor për “falsifikim të dokumentave”.
Lexoni edhe këtë Shqipëri, KPA shkarkon nga detyra anëtarin e tij, Luan DaciIsh prokurori Cani ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i pavarur i Kualifikimit në vitin 2018, por dy vjet më pas, Kolegji, në shkurt të vitit 2020, konstatoi mungesë të burimeve të ligjshme që të justifikonin pasurinë e tij. Në Kolegj ai zhvilloi një betejë kundër gjyqtarëve Luan Daci dhe Ardian Hajdari, duke pretenduar se ishin emëruar në detyrë në kundërshtim me parashikimet ligjore, duke kërkuar përjashtimin e tyre. Por Kolegji nuk i mori parasysh kërkesat e tij. Ish prokurori gjithashtu bëri kallzim penal anëtarit të Kolegjit, Luan Daci. Ndërkohë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme është marrë dhe gjyqtari Hajdari.
Në vendimin e sotëm, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se forma më e përshtatshme e dëmshpërblimit për ish prokurorin Cani, do të ishte rihapja e procesit dhe rishqyrtimi i çështjes, duke saktësuar se ajo nuk mund të shprehë “asnjë opinion mbi arsyet e shkarkimit të tij. Gjykata nuk mund të spekulojë se cili do të ishte rezultati i procesit të verifikimit kundër kërkuesit nëse do të ishin përmbushur kërkesat” e Konventës Evropiane, nënvizohet në vendim.
Gjykata rrëzoi kështu, kërkesën e ish prokurorit, për rikthimin e tij të menjëhershëm në detyrë, apo njohjen e dëmshpërblimit financiar, të kërkuar prej tij, në vlerën e rrogës mujore për periudhën që nga dita e shkarkimit të tij nga detyra.
Gjykata evropiane bëri megjithatë të ditur se “konstatimi i shkeljes të “së drejtës për një gjykatë të krijuar me ligj”, në rastin konkret, nuk mund të shërbejë në vetvete si imponim për të rihapur të gjitha çështjet e ngjashme”.