Në Shqipëri Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi sot të përjashtoi nga radhët e veta anëtarin e këtij institucioni Luan Daci, i cili është dënuar më parë me 6 muaj burg, i konvertuar në 1 vit shërbim prove dhe me ndalimin për të ushtruar funksione publike. Zoti Daci është gjetur fajtor nga të trija shkallët e drejtësisë shqiptare për “falsifikim të dokumentave”.
I denoncuar në Prokurorinë e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zoti Daci rezultoi të kishte fshehur faktin se në vitin 1997 ai ishte përjashtuar nga radhët e gjyqtarëve, duke deklaruar se kishte dhënë dorëheqjen. Me një lëvizje të tillë ai arriti të përfshihej mes kandidatëve që u përzgjodhën në organin më të lartë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, KPA.
Kolegji e mori vendimin ndaj tij, pasi vlerësoi se vepra e kryer nga ai, e bënte atë të paëprshtatshëm për funksionin që mbante. Zoti Daci nga ana e tij e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar atë sin ë shkelje të Kushtetutës, duke paralajmëruar se do të kryente të gjithë veprimet për të marrë sipas tij, drejtësi. Në Shqipëri, ai ka ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit.
Facebook Forum