Një grup qytetarësh u hodh në protestë të enjten duke kërkuar t’i jepet fund grevës së përgjithshme në sektorin e arsimit në Kosovë, e cila ka nisur nga 25 gushti i këtij viti.
Disa nga protestuesit me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës u shprehën të shqetësuar me humbjen e orëve të mësimit ndërsa theksuan vështirësitë që u ka shkaktuar greva në jetën e përditshme.
“Gati tre muaj po i bëjnë pushim sepse po u mohohet e drejta fëmijëve tonë, këta nuk kanë faj, i bëj thirrje presidentes, kryeministrit të anulojnë këtë grevë, të gjendet një zgjidhje për fëmijët tonë”, tha Xhemile Sejdiu.
“Si prind sot kemi dalur të shprehim shqetësimin tonë me mospërfilljen ose të themi me këtë ngërçin që po ndodhë në mes të sindikatave dhe qeverisë. Qëllimi jonë nuk është të gjejmë fajtorin te njëra palë apo tjetra, qëllimi jonë është të bëjmë trysni në mënyrë që palët të mirren vesh sa më shpejt që është e mundur ashtu që ngërçi të zgjidhet dhe fëmijët sa më parë t’u kthehen shokëve, kopshteve dhe edukimit të tyre”, tha Artan Krasniqi.
“Thuajse po bëhen një muaj që unë nuk po mund të vazhdojë punën, është mirëkuptim prej punëdhënësit mirëpo nuk e di edhe sa vazhdon kështu. Tash për tash e kemi shumë problem të bëjmë zgjidhje për dy fëmijët. Do të duhej të ketë mirëkuptim edhe nga qeveria edhe nga SBASHK-u meqë ne si prind jemi në hall”, tha Besjan Hoxha.
Protestuesit e mbyllën veprimtarinë e tyre pranë ndërtesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës. Nënkryetari i kësaj sindikate, Ymer Ymeri, tha se i kupton kërkesat e prindërve por nënvizoi se përgjegjëse për situatën është qeveria e Kosovës.
“Zgjidhja është të qeveria, duhet të ulet dhe t’i plotësoj kërkesat tona. Ne kemi bërë lëvizje në kërkesa, ndërsa qeveria është barrikaduar dhe nuk dëshiron të bisedojë sikur ta ketë një dëshirë që greva të zgjasë më shumë”, tha zoti Ymeri.
Punonjësit e arsimit këkrojnë 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit te Pagave. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti, në kuadër të pakos për përballje me inflacionin. Takimet ndërmjet të dy palëve deri tani nuk kanë prodhuar rezultat në përafrimin e qëndrimeve që do të hapte rrugë për t’i dhënë fund grevës e cila ka lënë jashtë procesit mësimor mbi 320 mijë nxënës.
Në një debat në parlamentin e Kosovës, partitë opozitare ritheksuan sot mbështetjen për kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavararura, ndërsa kërkuan zgjidhje nga qeveria për t’i dhënë fund bllokadës në sistemin arsimor.
“Kryeministri Kurti në këtë parlament e ka thënë që arsimi është përparësi dhe kërkon konsensus nacional, në mesin e atyre pesë përparësive që kërkojnë konsensus nacional edhe me subjekte politike. Fakti që nuk po ka vullnet që të kërkojë konsensus me sindikatat tregon goxha shumë se ku jemi në shtator të vitit 2022. Prandaj kryeministër arsimtarët janë të të gjitha partive politike, janë qytetarë të Kosovës dhe unë ju ftoj që të riktheheni e bisedoni me ta”, tha Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Po ju them që sindikatat kanë të drejtë dhe qeveria jo, sepse jemi në demokraci dhe jo sistem tjetër ku pushteti sundon egër dhe qeverisë si të dojë. Në fund dua të them që u bë mjaft me kokëfortësi ku palët fajësojnë njëra tjetrën dhe nuk ka zgjidhje. Është koha që qeveria të bëjë zgjidhje, prandaj ju bëj thirrje që të plotësoni kërkesat e sindikatave dhe shteti të kthehet në normalitet”, tha Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se plotësimi i kërkesës prej 100 euro në muaj do të ishte gabim meqë do të nxiste kërkesa të ngjashme të grupeve të tjera, ndërsa nëvizoi se greva është politizuar dhe po përdoret kundër qeverisë së tij.
“Kjo do të rrezikonte panumër greva dhe është gabim. Unë nuk ja kam inat asnjë sindikalisti, bile sindikalistët po të analizonin pak më shumë do ta kuptonin se një kryesindikalist ideologjik e kanë bërë kryeministër. Por nuk po duan ta shohin këtë gjë sepse qartazi greva është bërë armë kundër kryeministrit e jo për mësimdhënësit dhe arsimin”, tha kryeministri Kurti.
Ekspertë të arsimit në Kosovë thonë se një ditë e humbur e mësimit në Kosovë ka rol shumë më të madh se në vendet tjera për shkak të ngecjes në cilësi që e karakterizon ende sistemin arsimor të vendit.