Zëvendës komandanti i forcave paqeruajtëse të drejtuara nga NATO-ja në Kosovë, Luca Piperni, tha të martën se NATO-ja është e gatshme të shtojë numrin e trupave në Kosovë nëse rriten tensionet në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serbë në veri, ndërsa afrohet afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për ndryshimin e targave të makinave.
"Ne jemi të vëmendshëm dhe të gatshëm për të vepruar, nëse do të ketë rritje tensionesh. Mund të përdorim trupa edhe nga forcat rezervë të cilat ne mund t'i thërrasim brenda një afati të shkurtër", u tha zoti Piperni një grupi gazetarësh në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Trazirat në mesin e serbëve të Kosovës lidhur me kërkesën e qeverisë qendrore në Prishtinë që ata të përdorin targat e makinave të lëshuara nga shteti i Kosovës, kanë ngjallur frikën për konflikt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më shumë se dy dekada pasi NATO-ja bombardoi Serbinë për t'i dhënë fund shtypjes së shumicës shqiptare të Kosovës.
Lexoni edhe këtë Stoltenberg: Palët të përmbahen – NATO-ja e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në KosovëSerbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, derisa serbët në veri të Kosovës e konsiderojnë Beogradin dhe jo Prishtinën, si kryeqytetin e tyre. Rreth 3 mijë e 700 paqeruajtës të NATO-s janë ende të vendosur në Kosovë për të parandaluar dhunën midis shqiptarëve dhe serbëve.
Përpjekjet e mëparshme për të zbatuar vendimin për përdorimin e targave të Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, çuan në përleshje midis policisë dhe serbëve lokalë, të cilët bllokuan rrugët kryesore. Bllokadat u larguan vetëm kur forcat paqeruajtëse të NATO-s ndërhynë dhe Kosova ra dakord të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit.
Zoti Piperni tha se situata është e qetë por e brishtë tani për tani, dhe se NATO-ja nuk mund të përjashtojë mundësinë për tensione apo dhunë të sërishme në veri me afrimin e afatit të 31 tetorit.
“Nëse situata përkeqësohet, ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë, jemi të gatshëm të qëndrojmë në mes të protestuesve dhe organizatave të sigurisë”, theksoi ai.
"Ne kemi forca të mjaftueshme për t'u përballur me situatën. Me atë prani trupash mund t'i japim fund çdo lloj rritjeje të tensioneve", shtoi zoti Piperni, duke iu referuar trupave jashtë Kosovës që NATO mund t’i angazhojë si përforcime.
Kosova dhe Serbia synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe janë pajtuar që si pjesë e këtij procesi, të zgjidhin çështjet e pazgjidhura dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.
*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Reuters