Lidhje

Stoltenberg: Palët të përmbahen – NATO-ja e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të mërkurën se forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë, ndërsa u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të parandalojnë përshkallëzimin e tensioneve.

Zoti Stoltenberg priti sot në Bruksel në takime të ndara presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, një ditë para së të dy udhëheqësit të takohen në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, në përpjekje për të zbutur tensionet ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

"Përderisa situata në terren është përmirësuar, është përgjegjësi e të gjitha palëve, posaçërisht zyrtarëve nga Beogradi dhe Prishtina të parandalojnë përshkallëzimin e sërishëm. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të shmangin dhunën. NATO vazhdon të mbikëqyrë nga afër situatën në terren. Misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i përqendruar në mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara. Nëse qëndrueshmëria rrezikohet, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë", tha sekretari Stoltenberg. Ai tha se trupat e udhëhequra nga NATO-ja kanë shtuar praninë e tyre në veri.

Zoti Stoltenerg tha se dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për të zgjidhur dallimet në rajon dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë platforma për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

"Mirëpres raundin e ri të bisedimeve që pritet të ndodhë nesër, inkurajoj të gjitha palët të angazhohen me mirëbesim, të tregohen fleksibël dhe konstruktiv", tha ai pas takimit me presidentin serb, i cili i cilësoi si të vështira bisedimet e nesërme, meqë sic u shpreh "nuk pajtohemi pothuajse për asgjë".

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të vazhdojë të respektojë mandatin e KFOR-it në Kosovë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sipas normave të Kombeve të Bashkuara dhe "besoj që gjithmonë do të jemi në gjendje të kuptohemi për dëshirën e vet zotit Stoltenberg dhe tërë NATO-s dhe KFOR-it që të vendosim paqe dhe qëndrueshmëri. Kam thënë se paqja dhe qëndrueshmëria janë të rëndësisë thelbësore për Serbinë, nuk më pëlqen t’i vë faj askujt dhe as të përdorë këto rrëfime fëmijërore", tha ai.

Kryeministri Kurti njoftoi se nuk ka ndryshuar qëndrim për zbatimin e ndryshimit të targave të makina të banorëve serbë të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë me fushatën e implementimit. Përpos kësaj Serbia është pajtuar që nga viti 2018 që të mos prodhojë më targat e tilla dhe të mos krijojë probleme për serbët që duan të marrin targat e Kosovës. Po zbatojmë diçka që është e ligjshme sipas kushtetutës sonë, dhe diçka për të cilën është zotuar Serbia në dialogun e Brukselit. Ne nuk shohim asnjë mundësi që mund të shkojë përreth kësaj”, tha kryeministri i Kosovës i pyetur nga gazetarët gjatë konferencës me shefin e NATO-s.

Zoti Kurti e akuzoi Serbinë se ka kthyer strukturat ilegale në veri të Kosovës në banda kriminale që vendosin barrikada për të bllokuar rrugët.

“Në një anë e ke shtetin demokratik të Kosovës dhe policinë profesionale dhe në anën tjetër ke struktura ilegale të Serbisë që janë kthyer në banda kriminale. Ata po vendosin barrikada nër rrugë” tha ndër të tjera zoti Kurti.

Shefi i qeveriës së Kosovës e përsëriti akuzën ndaj Serbisë se nën ndikimin rus po tenton të destabilizojë Ballkanin.

“Qeveria e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë arsye të jenë vigjilentë nga qasja shkatërruese e fqinjit tonë në veri nën ndikimin rus” tha zoti Kurti.

Gjatë ditëve të fundit ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore kanë zhvilluar takime me udhëheqësit e Kosovës dhe përfaqësuesit e komunitetit serb për të diskutuar shmangien e tensioneve si ato të 31 korrikut dhe rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vëzhguesit nuk shprehen shumë optimist për takimin e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por shpresojnë në shtimin e përpjekjeve të diplomacisë perëndimore për të siguruar përparim në bisedime. Ata bëjnë thirrje që fushata diplomatike si këto të ditëve të fundit të mos përdoren vetëm për shmangie krizash, ai ajo e 31 korrikut. Takimi i së enjtes është i treti me radhë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, të cilët u takuan dy herë një vit më parë pa asnjë përparim.

XS
SM
MD
LG