Mijëra qytetarë u mblodhën në një protestë të mërkurën në Prishtinë, dy ditë pas publikimit të rastit të përdhunimit të një të miture në kryeqytet. Organizatorët e protestës thanë se ndër kërkesat e tyre është dhënia e dënimit të merituar për autorët e krimit. Ato tërhoqën vëmendjen për shkallën e lartë e përdhunimeve dhe nivelin e ulët të ndëshkueshmërisë së këtyre rasteve. Hollësitë i sjell kronika e korrespondentes sonë në Prishtinë, Edlira Bllaca.
Me thirrjet “përdhunuesit në burg” dhe “viktima nuk ka faj”, mijëra qytetarë morën pjesë të mërkurën në një protestë në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave.
Protesta pasoi publikimin e rastit të përdhunimit të një 11 vjeçareje, ngjarje kjo që sipas autoriteteve ka ndodhur të shtunën e kaluar në një park të kryeqytetit.
Përgjatë më shumë se dy orëve protestë, pjesëmarrësit parakaluan pranë institucioneve shtetërore si ministria e Drejtësisë, prokuroria, policia, e qeveria e Kosovës, duke hedhur ngjyrë të kuqe.
Trina Binaku, ndër veprimtaret që organizuan protestën, tha se vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 në polici janë raportuar 36 raste përdhunimesh.
“Nëse ju nuk filloni me procedimin e kërkesave tona për krijimin e mekanizmave efektiv të cilët e trajtojnë me dinjitet të mbijetuarën e dhunës, trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje, rezistenca jonë do të radikalizohet”, tha ajo.
Veprimtarja për të drejtat e gruas, Luljeta Demolli, tha se rasti i fundit tregon dështimin e të gjitha hallkave shtetërore në garantimin e sigurisë.
“Ky është dështim i të gjitha institucioneve, sepse rasti është shumë i rëndë dhe ka efekte shumë të rënda për gjeneratat e reja. Flitet për një rast shumë të komplikuar për të cilin shteti ka qenë në dijeni, pra në njëfarë mënyre dështim i shtetit”, tha ajo.
Disa protestues me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës, thanë se janë shumë të shqetësuar për sigurinë e vajzave në Kosovë.
“Është edhe mungesa e drejtësisë, mungesa e përgjigjes të tyre (institucioneve), mungesa në të gjitha aspektet, sepse nëse ishin marrë masat më herët ndoshta edhe kjo nuk do të ndodhte. Kam dhe unë vajza, thjeshtë nuk ka siguri, del fëmija në rrugë dhe rri me frikë derisa të kthehet në shtëpi, duke pyetur veten çfarë po ndodh me të”, tha Valbona Zejnullahu.
“Kam dalë t’i bashkohem kësaj proteste meqë kam edhe vetë dy vajza, 16 vjeçe. Jemi nga Prishtina, por jetojmë në Gjermani. Unë vet i kam lënë dy vajzat e mia të vijnë të vetme në Prishtinë për dy javë, e ky është një tmerr, kur më kanë pyetur ato se çfarë ka ndodhur me këtë 11 vjeçare mua më vinte keq nga vajzat e mia”, tha Burim Ejupi.
Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar pesë persona, tre prej të cilëve të mitur, që dyshohet se kanë kryer përdhunimin. Ndaj të pestëve është vendosur masa e paraburgimit prej një muaji.
Ngjarja e denoncuar nga familja e viktimës, nxiti reagime të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilët tërheqin vërejtjen për numrin e lartë të përdhunimeve dhe shkallën e ulët të ndëshkueshmërisë ndaj tyre.