Një hulumtim i kryer nga misioni në Kosovë i Oganizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nxjerr në pah se nga muaji janar i vitit 2014 deri në muajin dhjetor të vitit 2020, kanë ndodhur 247 incidente në objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë.
Sipas këtij studimi, 57 për qind e incidenteve janë vjedhje që nuk kanë motive ekonomike dhe kanë ndodhur kryesisht në kisha dhe varreza që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe. Ndërkaq 45 për qind e tyre janë vjedhje me motive ekonomike që janë kryer kryesisht nëpër xhami në Kosovë.
Your browser doesn’t support HTML5
Sabrina Salis nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha gjatë paraqitjes së raportit “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë”, se 24 objekte fetare serbe mbrohen aktualisht nga policia e Kosovës.
“Raporti rekomandon që duhet të forcohet mbështetja ndaj policisë së Kosovës, posaçërisht ndaj njësisë së specializuar për patundshmëritë kulturore, në përmbushjen e detyrave të tyre. Për shembull nëpërmjet trajnimeve, pajisjeve por edhe qasjes në praktikat më të mira ndërkombëtare”, tha ajo.
Shefi i misionit në Kosovë, Michael Davenport, tha se monitorimi i vendeve që lidhen me trashëgiminë kulturore është thelbësor për të zbuluar dhe parandaluar shkeljet e mundshme që mund të bëhen ndaj tyre.
“Natyrisht inspektorët janë të parët dhe ata bartin një përgjegjësi të madhe mbi supe për të garantuar sigurinë e duhur për trashëgiminë kulturore në Kosovë. Por, monitorimi i kënaqshëm dhe efektiv është përpjekje e përbashkët ndërmjet inspektorëve në njërën anë dhe komunave, ministrive përkatëse dhe shoqërisë në përgjithësi në anën tjetër. Të gjithë ne jemi përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët kulturore”, tha ai.
Zoti Davenport tha se megjithëse janë bërë katër vite nga funksionalizimi i Inspektoratit të trashëgimisë kulturore, punë e këtij institucioni vazhdon të sfidohet nga ndërtimet pa leje dhe shkatërrimi i patundshmërive, vepra këto të cilat tha ai, duhet të ndiqen penalisht.
Sipas raportit policia e Kosovës i ka sjellë në vëmendje prokurorisë të gjitha incidentet që lidhen me trashëgiminë kulturore, por vetëm një numër i kufizuar i tyre janë trajtuar më tutje. Në vitin 2019, thekson raporti, nga 76 raste që janë paraqitur nga policia, vetëm 14 prej tyre janë trajtuar nga prokuroria.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrullah Çeku, tha se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është një nga përparësitë programore të qeverisë e cila që nga marrja e detyrës, sipas tij, ka bërë disa reforma në këtë fushë.
Zoti Çeku tha se edhe gjendja e sigurisë është përmirësuar në objektet e trashëgimisë kulturore në Kosovë, duke theksuar se sipas të dhënave të fundit nga policia gjatë periudhës janar – qershor 2022 janë paraqitur gjashtë për qind më pak raste krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Raporti i paraqitur sot vë në pah gjendjen e trashëgimisë kulturore deri në vitin 2020. Dua të theksoj që qeveria e Kosovës, respektivisht ministria e Kulturës ka ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe një pjesë e rekomandimeve që adresohen në këtë raport, tashmë janë adresuar. Me punë serioze dhe përkushtim jemi duke zhvilluar programe dhe projekte të cilat do të kontribuojnë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si mjet për promovimin e vlerave të përbashkëta dhe si mundësi për ngritjen e prosperitetit ekonomik për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha zoti Çeku.
Raporti rekomandon që të ndryshohet dhe plotësohet ligji për trashëgiminë kulturore për ta përafruar atë me Strategjinë Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2017-2027 dhe standardet ndërkombëtare.