Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se vendimi i qeverisë mbi përdorimin e targave të makinave dhe dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet serbe, ndihmon vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë.
Ai i bëri këto komente pas reagimeve që nxiti vendimi i qeverisë së tij që makinave të cilat kanë targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e që janë lëshuar nga autoritetet serbe, t’u mundësohet regjistrimi me targa të Kosovës, RKS, deri më 30 shtator të këtij viti.
Your browser doesn’t support HTML5
“Ne në mënyrë shumë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dy mujore për të bërë një konvertim të tillë, i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë te ne”, tha zoti Kurti.
BE: Marrëveshjet e thonë qartë se në Kosovë do të përdoren vetëm targat e makinave të lëshuara prej saj
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se BE-ja është njoftuar në fillim të kësaj jave për vendimet e Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet e identifikimit, por nuk është këshilluar për planet e qeverisë e Kosovës.
Ai tha se sipas marrëveshjeve të arritura në vitet 2011 dhe 2016 në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, Kosova ka të drejtë të heqë shkallë shkallë targat me shkurtesën KM, të lëshuara nga Serbia. “Marrëveshjet thonë qartë se në Kosovë do të përdoren vetëm targat e lëshuara nga Kosova”, thuhet në përgjigje.
“Megjithatë, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet e zbatohet në këshillim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, tha zoti Stano, duke shtuar se “liria e lëvizjes është një gur themel i Bashkimit Evropian”, prandaj tha ai “presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon dhe të veprojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, dhe të mos vendosin pengesa të paarsyeshme që do të kufizonin lirinë e lëvizjes”.
Zoti Stano u bëri thirrje të dyja palëve të shfrytëzojnë bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian si platformë për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe targat e makinave.
“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për pajtimin, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre. Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, dhe të dyja palët duhet të përqendrohen plotësisht për këtë synim”, tha zoti Stano.
Qeveria vendosi të mërkurën po ashtu që personat të cilët hyjnë në Kosovë me dokumente personale serbe, të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve të tilla. Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që nga viti 2008 kur ajo shpalli pavarësinë, të cilën Serbia e mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë.
Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në mbrëmjen e së mërkurës u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirsollav Lajçak, tha se “dialogu është rrëfim bosh”, ndërsa akuzoi vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e vendimeve të Prishtinës.
Kryeministri Kurti, tha se Serbia po bën gabim me paralajmërimet për tërheqje nga bisedimet, ndërsa tha se Kosova është e gatshme për takimet e planifikuara që të mbahen gjatë këitj muaji në Bruksel.
Zoti Lajçak, i cili është vënë në përpjekje për të organizuar një takim politik të nivelit më të lartë, tha të enjten në Beograd se vendimet e qeverisë së Kosovës kanë krijuar një situatë të re në marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve.
“Edhe zoti Lajçak ka qenë, vazhdimisht është i njoftuar me veprimet tona. Unë e di që ekziston një plan për takime në muajin korrik edhe të kryenegociatorëve por ndoshta edhe më shumë se aq, por ta shohim se si e sa do të mund të përgatiten në Bruksel për këtë. Ne jemi të gatshëm, jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, të qëndrueshme, me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh që nga viti 2011 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të dyja vendet skurse edhe katër shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, tha të premten se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mbështetja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane do të jenë përparësi gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia e cila nga sot pason kryesimin gjashtëmuajor të Francës.